Ambasadori amerikan: Kontaktet i kemi të forta me Kurtin e Osmanin, kështu ishte edhe me qeveritë e kaluara
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier në një intervistë dhënë televizionit ATV ka folur në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-SHBA.
Hovenier ka deklaruar se dy shtetet janë miq të kahmotshëm dhe se SHBA do të qëndrojë gjithmonë përkrah Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova janë miq të kahmotshëm. Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar përkrah Kosovës për kohë të gjatë dhe edhe Kosova i qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai.
Tutje, ambasadori amerikan shtoi se ka marrëdhënie të mira me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, por theksoi se kështu ka qenë edhe me qeveritë e kaluara.
“Kemi marrëdhënie njëmend të mira me këtë qeveri. Kam marrëdhënie të mira personale me presidenten Osmani dhe me kryeministrin Kurti dhe kontaktet në mes të qeverive janë të forta dhe të fuqishme. Kështu ka qenë edhe me qeveritë e kaluara sepse ta them sërish, kemi miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm”, ka thënë ai.
Vlen të theksohet se Kurti përgjatë qeverisjes së tij gati dy vjeçare është kritikuar për mungesën e takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë.
Madje, para disa ditësh u raportua se kryeministri ka angazhuar edhe një lobist që t’ia sigurojë këto, por nuk ka pasur asnjë konfirmim nga ana e Qeverisë.