Ambasadorët e BE me takim urgjent pas kërcënimit të Trump për tarifa ndaj aleatëve evropianë
Ambasadorët e Bashkimit Evropian pritet të mblidhen sot në një takim urgjent, pas kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave tregtare ndaj tetë aleatëve kryesorë evropianë që kundërshtojnë propozimin e tij për blerjen e Grenlandës.
Sipas raportimit të BBC-së, Trump ka paralajmëruar një tarifë fillestare prej 10% ndaj mallrave nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda duke filluar nga 1 shkurti. Ai ka lënë të hapur mundësinë që kjo normë të rritet deri në 25%.
Kryeministri britanik Keir Starmer e ka cilësuar planin e presidentit amerikan si “krejtësisht të gabuar”, duke thelluar edhe më tej tensionet në marrëdhëniet mes Londrës dhe Uashingtonit.
Ndërkohë, mijëra qytetarë kanë protestuar si në Grenlandë, ashtu edhe në Danimarkë, duke kundërshtuar publikisht planet e Trump për territorin arktik.