Ambasadat perëndimore e kanë eksploruar bregdetin e Libanit për evakuime në rast lufte
Shumica e ambasadave perëndimore, sidomos misionet evropiane, e kanë ekzaminuar bregdetin e Libanit për vende të mundshme nga të cilat do t’i evakuonin shtetasit e tyre përmes detit në rast të shpërthimit të një lufte mes Izraelit dhe Hezbollahut në kufirin jugor të vendit, raportoi gazeta libaneze “Al-Akhbar”.
Hezbollahu dhe ushtria izraelite kanë shkëmbyer zjarr nga 8 tetori i vitit të kaluar. Javëve të fundit, disa shtete kanë shprehur alarm për mundësinë e eskalimit të përleshjeve, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Të mërkurën, autoritetet holandeze dhe gjermane u bënë thirrje shtetasve të tyre që të largohen nga Libani për shkak të rrezikut të luftës.
Ndërkohë, emisari i posaçëm i Katarit, Jassim Al Thani, pritet të takohet në Bejrut me zyrtarë libanezë dhe të Hezbollahut e të lëvizjes Amal në përpjekje për t’i ulur tensionet me Izraelin, sipas gazetës libaneze.