Aleanca: Katër punëtorë të vdekur brenda vitit në KEK, kërkohet përgjegjësi dhe dorëheqje
Aleanca ka reaguar pas vdekjes së Arbenit Ahmetit në KEK, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e punëtorëve dhe duke kërkuar përgjegjësi institucionale.
Në reagim thuhet se katër punëtorë kanë humbur jetën brenda këtij viti në ndërmarrjen publike, Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti. Sipas Aleancës, dy vdekje brenda tri ditëve të fundit dëshmojnë se situata në KEK ka dalë jashtë kontrollit.
Aleanca ka kritikuar ministrinë përgjegjëse, menaxhmentin dhe Bordin e KEK-ut, duke i akuzuar për neglizhencë dhe mungesë të masave parandaluese për sigurinë në punë.
Partia ka kërkuar hetim të menjëhershëm dhe të pavarur, si dhe përgjegjësi ligjore e penale për zyrtarët përgjegjës. Gjithashtu, ka kërkuar dorëheqjen e menaxhmentit dhe Bordit të KEK-ut.
Në fund të reagimit, Aleanca u ka shprehur ngushëllime familjeve të punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.