Haxhiu nënshkruan dokumentin i cili ulë tarifat për shërbimet noteriale
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, përmes rrjetit të saj Facebook, ka njoftuar se ka nënshkruar udhëzimin administrativ i cili parasheh uljen e tarifave për shërbimet noteriale.
Haxhiu ka thënë se me këtë udhëzim caktohen tarifa të arsyeshme duke i mundësuar qytetarëve shpenzime të përballueshme për shërbimet noteriale.
“Sot nënshkrova Udhëzimin e ri Administrativ për Tarifat Noteriale, me të cilin ulen konsiderueshëm tarifat për shërbimet noteriale, si dhe:
lirohen në tërësi nga tarifat noteriale fëmijët pa kujdes prindëror, personat me nevoja të veçanta, personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale dhe personat që përfitojnë nga Ligji për Ndihmë Juridike Falas;
pamundësohet tarifimi i vërtetimit të dokumenteve që ruhen në dosjen e aktit noterial me çka ulen dukshëm shpenzimet e palës pranë noterit.
Me këtë Udhëzim Administrativ caktohen tarifa të arsyeshme duke i mundësuar qytetarëve shpenzime të përballueshme për shërbimet noteriale.” Ka shkruar Haxhiu në Facebook.