Aktivistët pro-palestinezë vandalizojnë një nga fushat e golfit të Trumpit në Skoci
Protestuesit pro-palestinezë kanë vandalizuar një nga fushat e golfit të Presidentit amerikan Donald Trump në bregun perëndimor të Skocisë, duke thënë se ky veprim ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj planit të tij për të “marrë nën kontroll” Rripin e Gazës.
Fjalët “GAZA IS NOT 4 SALE” (Gaza nuk është në shitje) u pikturuan mbi barin e resortit të golfit Trump Turnberry, ndërsa pjesë të tjera të fushës së njohur botërisht, përfshirë gropa të përdorura në Open Championships, u dëmtuan, shkruan CNN.
Grupi aktivist, që mori përgjegjësinë për protestën, deklaroi se veprimi ishte “një përgjigje ndaj planeve dhe kërcënimeve të administratës amerikane për të shkatërruar, spastruar etnikisht dhe ‘marrë nën kontroll’ Rripin e Gazës.”
“Palestine Action e refuzon trajtimin që Donald Trump i bën Gazës, sikur të ishte prona e tij që mund ta përdorë sipas dëshirës. Për ta bërë këtë të qartë, i kemi treguar se as prona e tij nuk është e sigurt nga aktet e rezistencës,” tha një zëdhënës i grupit.
Palestine Action është një grup aktivist me bazë në Britani që synon të pengojë operacionet e prodhuesve të armëve që furnizojnë qeverinë izraelite.