Aksidenti në rrugën Pejë – Prishtinë, vdes një ushtar italian
Gazeta Nacionale ka raportuar pak më parë për një aksident në rrugën Pejë – Prishtinë, ku ka mbetur një person i vdekur dhe dy të lënduar.
Misionit i NATO-s në Kosovë, KFOR ka bërë të ditur se viktima në këtë aksident është një ushtar italian.
Sipas KFOR-it, fillimisht ushtari në gjendje të rëndë u transportua me helikopter drejt Spitalit Amerikan në Prishtinë, ndërsa rreth orës 16:50 i njëjti ka ndërruar jetë.
“Në makinën e përfshirë në aksident ndodhej edhe një ushtar tjetër, i cili me ambulancë u transportua në spital me një gjendje më të qëndrueshme në “Cam Villago Italia” dhe më pas u dërgua në spitalin ushtarak në Camp Film City për kontrolle të mëtejshme.” – thuhet në njoftim, transmetonKlan Kosova.
Për këtë aksident tragjik ka reaguar edhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës.
“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. Mendimet e mia janë me familjen dhe miqtë e ushtarit që ndërroi jetë në këto rrethana tragjike. I urojmë dhe shpresojmë tjetrit një shërim të shpejtë.” - ka shkruar ai.
Bëhet e ditur se Policia Ushtarake Ndërkombëtare në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare po e hetojnë shkakun e aksidentit.
