Ahmeti: Marrëveshja Kosovë-Serbi është thelbësore për stabilitetin rajonal
Sipas kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, rajoni nuk do të jetë i qetë apo komod nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë një marrëveshje.
“Pa një marrëveshje Kosovë-Serbi, asnjëra nuk mund të përparojë tutje, por njëherësh do të jetë një gur në qafë edhe për rajonin, sepse ky është edhe problem i rajonit. Pa zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi nuk mund të kemi një rajon të qetë, nuk mund të kemi rahati. Prandaj, mendoj që duhet të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët”, ka thënë në RTK.
Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare do të ishte shumë më e angazhuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje edhe pas fillimit të diskutimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Ahmeti ka diskutuar edhe për ndërveprimet e tij me elitën politike të Kosovës, duke pohuar se historikisht ka pasur komunikim me ta pavarësisht partisë në pushtet.
Sipas Ahmetit, marrëveshjet e arritura me Bashkimin Evropian, SHBA-në dhe NATO-n nuk e kanë zhgënjyer asnjëherë gjatë 20 viteve të tij në politikë në Maqedoni.
“Asnjëherë nuk jam tradhtuar dhe as nuk jam zhgënjyer nga marrëveshjet që i kemi bërë me BE-në, dhe as me SHBA-të e NATO-n, por kjo varet se si bashkëbiseduesit i shohin zhvillimet dhe zgjidhjen e problemeve. Unë nuk kam arsye që të jem mosbesues për këtë çështje”, ka thënë ai.