Abdixhiku thotë se nuk e njeh Blerim Isufajn, deklaratat e Kurtit ndaj sistemit prokurorial i quan shqetësuese
Blerim Isufaj, kandidat për Kryeprokuror të Shtetit, është përfolur shumë pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Ndërsa nga eksponentë të VV-së ka pasur deklarata se Isufaj ka qenë pjesë e LDK-se dhe FARK-ut, diçka e tillë është mohuar nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
I ftuar në T7, Abdixhiku, ka thënë se personat që kanë bërë deklarata të tilla nuk janë të rëndësishëm dhe ka shtuar se ai asnjëherë nuk është takuar me Isufajn.
“Blerim Isufajn nuk e kam takuar asnjëherë në jetën time,”- tha Abdixhiku.
Më tej ai ka folur edhe për “kërcënimet e Albin Kurtit” ndaj sistemit prokurorial në Kuvendin e Kosovës, duke i cilësuar deklaratat e kryeministrit si shqetësuese.
“Çështja serioze është kështu. Kryeministri ka sulmuar sistemin gjyqësor në Kosovë. E tani nuk pres që ata të mund të bëjnë punën drejt. Në anën e parë ata kërcënojnë dhe shantazhojnë. Pastaj del publikisht në Kuvend e të kërcënojë. Nuk po them që sistemi i drejtësisë është i mirë. Është më i kapur se ndonjëherë. Por kam pritur të vijë një prokuror dhe të vendos drejtësi. Kam pritur një kryeministër që nuk përzihet në drejtësi,”- ka thënë Abdixhiku.
