Abdixhiku pranon rezultatin zhgënjyes: Me kohë dhe në vendin e duhur, do t’i shpalosë të gjitha - NACIONALE

Abdixhiku pranon rezultatin zhgënjyes: Me kohë dhe në vendin e duhur, do t’i shpalosë të gjitha

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke e cilësuar atë si "të dhimbshëm" dhe larg synimeve të partisë që ai drejton.

Në një reagim në Facebook, Kreu i LDK-së ka pranuar verdiktin e qytetarëve, duke theksuar se përballë këtij vendimi duhet treguar respekt dhe përulje, pavarësisht zhgënjimit të thellë brenda strukturave dhe mbështetësve të partisë.

“Ky vit po mbyllet ndryshe nga sa kemi shpresuar. Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ai që synova e synuam; ishte i dhimbshëm për shumë prej nesh. Por është verdikti i qytetarëve tanë, dhe para këtij vendimi përulemi me respekt.

Në këtë fundvit, dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që besuan, që punuan, që sakrifikuan kohë, familje, energji dhe zemër për LDK-në dhe për rrugën që besuam bashkë. E di që shumë prej jush ndiheni të zhgënjyer sot; edhe unë jam një prej jush. Por besimi ynë në Kosovë, në demokraci dhe në të ardhmen nuk duhet të shuhet kurrë.” – shkroi ai.

Ai paralajmëroi se periudha në vijim do të jetë kohë reflektimi dhe "vendimmarrjeje e përgjegjësie", duke shtuar se hapat e mëtejshëm do t’i shpalosë në kohën dhe vendin e duhur, konform dinjitetit politik.

“Ky është edhe një vit reflektimi personal. Kam bërë gjithçka që kam ditur dhe mundur, me ndershmëri dhe me përkushtim. Ndonjëherë, edhe kur jep maksimumin, nuk mjafton; dhe këtë e pranoj me dinjitet. Përpara nesh është një kohë reflektimi, vendimmarrjeje dhe përgjegjësie. Me kohë e në vendin e duhur, siç na mëson dinjiteti e përgjegjësia politike, do t’i shpalosi të gjitha. Çfarëdo që sjell e nesërmja, unë do të jem gjithmonë në shërbim të vendit tim.

Në këtë natë të fundvitit, dua ta gjej kohën e humbur tek familja ime, tek dy vajzat e mia, të cilave u kam borxh më shumë kohë, më shumë prani time, më shumë dëgjim.

Ju uroj të gjithëve një Vit të Ri të mbarë; juve dhe familjeve tuaja. Le të kemi një vit më të butë, më njerëzor, më të drejtë për Kosovën tonë. Shëndet, paqe në shtëpitë tuaja dhe besim se e mira, sado vonë të vijë,vjen gjithmonë.

Gëzuar 2026!

Zoti e bekoftë atdheun tonë.

Lumiri”

Lajme të ngjashme