Abdixhiku: Ndalja e pagave për grevistët, shantazh jodemokratik
Grevat në sektorin publik të nisura nga 25 gusht të këtij muaji, i ka lënë punëtorët e arsimit dhe grevistët të tjerë pa paga në muajin gusht.
Në lidhje me këtë ka ragauar kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se kjo është gjëja e fundit që familjet e mësimdhënësve e zyrtarëve publik kanë nevojë sot, është ndalesa e pagave të tyre, pra burimit të vetëm të mbijetesës.
"Gjëja e fundit që familjet e mësimdhënësve e zyrtarëve publik kanë nevojë sot, është ndalesa e pagave të tyre - burimit të vetëm të mbijetesës. Në inflacion rekord, në krizë të paprecedentë terri veror, në investime kapitale minimale - ky shantazh jodemokratik është akt i shëmtuar politik. E ftoj Qeverinë për dialog në vend të arrogancës. Mësimdhënësit e zyrtarët shtetëror janë njerëzit tanë. Familjet e tyre janë qytetarë tanë. Politika bëhet për ta. Shpërputhja e pushtetit me kërkesa qytetare - në këtë masë - nuk do të durojë gjatë", ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Lumir Abdixhiku, ditë më parë kishte reaguar ndaj qasjes së pushtetit në raport me sindikatat, duke e quajtur “kërcënim” metodën që qeveria po përdorë në raport me grevistët.
“Ky është narracioni i një pushteti autokratik që deri dje premtoi mirëqenie e zhvillim, sot shpërndanë frikë e kërcënim. Kërkimi i listave të punonjësve në grevë nga ana e Qeverisë përveçse presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve të sektorit publik është dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vet shtetit juridik”, kishte shkruar Abdixhiku në një shkrim të titulluar “Në vend të dinjitetit, kërcënim”.