Abdixhiku kërkon përsëri heqjen e TVSH-së për produktet elementare: Nuk e dëmton buxhetin e vendit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar përsëri heqjen e TVSH-së për produktet elementare, pasi sipas tij, nuk dëmtohet buxheti.
Abdixhiku ka listuar produktet bazike të cilave i është rritur çmimi deri në 50 për qind.
“Çfarë është blerë me 100 euro në fillim të vitit të shkuar, duhet të blihet me 150 euro sot. Këto nuk janë produkte luksi, e as të zëvendësueshme s’janë. Janë pjesë thelbësore e shpenzimeve mujore për çdo familje në vend.”, ka shkruar ai në Facebook.
Shkrimi i plotë i tij:
Çmimi i miellit, vajit, bukës, qumështit, vezëve, domateve, patateve, orizit, fasuleve, sheqerit, naftës, benzinës e energjisë elektrike, është rritur për plot 50% në njëzet muajt e fundit.
Çfarë është blerë me 100 euro në fillim të vitit të shkuar, duhet të blihet me 150 euro sot. Këto nuk janë produkte luksi, e as të zëvendësueshme s’janë. Janë pjesë thelbësore e shpenzimeve mujore për çdo familje në vend.
Heqja e TVSH-së vetëm për këto produkte elementare, s’dëmton buxhetin e vendit. Heqja e TVSH-së lehtëson dukshëm përballueshmërinë e kosovarëve në këtë krizë të paprecedentë.
Ky është propozimi ynë nga marsi i këtij viti.
