Abdixhiku jep detaje rreth takimeve të tij me Kurtin, paralajmëron të tjera për javën e ardhshme - NACIONALE

Abdixhiku jep detaje rreth takimeve të tij me Kurtin, paralajmëron të tjera për javën e ardhshme

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk kanë folur rreth emrave konkretë për president.

Ai sipas EO, të shtunën ka thënë se LDK ka dhënë përgjigje negative për propozimet aktuale të VV-së, pasi nuk mbështet një seknar ku një parti politike ka tri pozicionet shtetërore.

“Kam dëgjuar shumë spekulime dje. Janë vetëm spekulime, nuk janë të vërteta. Pra, nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri kandidaturat, të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha ai.

Mes tjerash, Abdixhiku paralajmëroi takime të reja gjatë javës tjetër.

“Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë, dhe nuk na është kërkuar ende asgjë. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe mbi këtë të vërtetë do shohim se si do zhvillohen çështjet tutje”, tha ai.

Abdixhiku u shpreh se ka pasur takim me Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës, derisa shtoi se nuk ka gjasa që të vetëpropozohet për president.

“Po jam takuar me zotërinë Hamza. Kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyre. Zotëri Haradinaj ka pasur refuzim takimi, me thënë të drejtën është qëndrim i tyre që s’duan të takohen po mos të ankohen pastaj. Sepse takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore. Si duket zotëri Haradinaj e ka keqkuptuar mirësinë time për të pasur komunikim, po në qoftë se s’do me u taku, s’është problem i madh”.

“Jo, s’ka gjasa të vetëpropozohem sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale. Pra duhet të flasim për parimet njëherë. Mos t’i ngatërrojmë. Nuk po flasim për akomodime individuale në këtë fazë. Aq më pak për një pozicion kaq të rëndësishme shtetërore. Pra flasim për interesa ndërpartiake. Pra a ka mundësi që partitë të akomodohen rreth një marrëveshjeje shumë më të madhe. Në qoftë se jo, atëherë përgatitemi për zgjedhje të reja. Por jo, kjo s’është politikë personale, ju lutem”, tha ai.

“Po s’e kemi gjetur. I kemi harxhuar diku 30 ditë para afatit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk kemi arritur të gjejmë një president konsensual. Pra, fillimisht duhet të flasim për parimet. Pra si duket ai president? A duhet të ketë marrëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes apo partive të tjera? Pra është çështje, në qoftë se ka marrëveshje, atëherë gjenden edhe emrat. Në qoftë se mendoni a ka kandidatë, ka mjaft. Çdo i dyti qytetar ka pasur qenë i mirë për të qenë president. Besoj që Vjosa Osmani ka qenë një kandidate e shkëlqyeshme”, tha ai.

Lajme të ngjashme