AAK: Qeveria Kurti nuk ia do të mirën vendit
Nga Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës po e kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti. Nënkryetari i kësaj partie Pal Lekaj në një deklaratë për Kosovapressin thotë se Lëvizja Vetëvendosje është më mirë të heq dorë nga pushteti se sa të provokojë qytetarët sikurse në rastin me vonesat në procedimin e pagave për mësimdhënësit.
“Ne kemi hyrë në një krizë ekonomike në rritje të çmimeve enorme. Para disa ditëve u miratua vendimi për shpalljen të emergjencës për energji dhe tani nuk ekzekutohen pagat e arsimtarëve. Me të vërtetë thua se kjo qeveri nuk ia dëshiron të mirën vendit, dëshiron revolta dhe protesta. Më mirë është që kjo qeveri të dorëhiqet se sa të provokojë qytetarët, në këtë rast arsimtarët që më të vërtetë janë në gjendje jo të mirë”, thotë ai.
Insistimi i deridjeshëm i kreut qeveritar për t’i mos i paguar grevistët, Lekaj thotë se është një dobësi e tij dhe se këso vendime, sipas tij janë marrë vetëm në regjime ku dominon diktatura.
“Është një dobësi e Qeverisë së Kosovës, personalisht e kryeministrit me kokëfortësinë e tij, thua që tani ndryshon bota pse ata kanë hyrë në grevë, për të cilat ka qenë legjitime... Qeveria e Kosovës me këtë veprim dëshiroi të frustrojë arsimtarët dhe qytetarët që të kemi një revoltë. Këto kanë ndodhur vetëm në regjime ku ka dominuar kokëfortësia dhe diktatura”, shton Lekaj për KosovaPress.