5 orë përballje me zjarrin, një 5 vjeçar në Emergjencë: Detaje nga rasti në Prishtinë - NACIONALE

5 orë përballje me zjarrin, një 5 vjeçar në Emergjencë: Detaje nga rasti në Prishtinë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Pas pesë orësh përballje me flakët, zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin që përfshiu një ndërtesë banimi pranë Parkut të Qytetit në Prishtinë.

Drejtori për Emergjenca i Komunës së Prishtinës, Lulzim Fushtica, bëri të ditur se nga ngjarja kanë mbetur të lënduar dy qytetarë, mes tyre edhe një fëmijë 5-vjeçar, i cili po merr trajtim në Qendrën Emergjente.

Gjatë intervenimit janë lënduar edhe pesë zjarrfikës, të cilët po trajtohen nga ekipet mjekësore.

“Qe pesë orë jemi këtu. Zjarri është lokalizuar. Janë të lënduar dy qytetarë që kanë qëlluar në banesën poshtë. Është një 5 vjeçar që është në emergjencë. Edhe pesë zjarrfikës janë lënduar, por janë lëndime në kuadër të punës dhe po trajtohen nga ekipet emergjente dhe po vazhdojmë me punën”, ka thënë Fushtica, sipas Express.

Sa i përket shkaqeve të zjarrit, ai theksoi se është ende herët për të nxjerrë përfundime, pasi pritet ekzaminimi nga organet kompetente.

“Herët të flitet për shkaktarin, pastaj forenzika dhe inspektori të dalë në vendin e ngjarjes. Por është herë të flitet për shkaktarët e mundshëm të zjarrit”, ka shtuar ai.

Lajme të ngjashme