28 vjet nga Masakra e Abrisë së Epërme, Haradinaj kujton viktimat dhe dëshmorët e lirisë - NACIONALE

28 vjet nga Masakra e Abrisë së Epërme, Haradinaj kujton viktimat dhe dëshmorët e lirisë

8 orë më parë

nga NACIONALE

Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 28-vjetorin e Masakrës së Abrisë së Epërme, duke nderuar viktimat e kësaj tragjedie.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e ka cilësuar masakrën si një nga ngjarjet tragjike që ka lënë gjurmë të thella në historinë e Kosovës.

“28 vjet më parë, forcat serbe kryen një akt barbar ndaj familjes Deliu, duke vrarë 23 anëtarë të saj, nga një foshnjë disa muajshe deri te plaku 94-vjeçar. Ata ishin shqiptarë të pafajshëm, që dëshironin vetëm të jetonin të lirë në trojet e tyre”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka përkujtuar edhe mësuesin Vesel Demaku dhe dy nxënësit e tij, Valdet Xhemajlin dhe Afrim Hajdarin, të cilët humbën jetën duke luftuar kundër forcave serbe.

“Po atë ditë, mësuesi trim Vesel Demaku, së bashku me dy nxënësit e tij, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdari, ranë duke luftuar me guxim kundër forcave serbe, duke mbrojtur lirinë deri në frymën e fundit”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj tha se Kosova e pagoi me shumë vuajtje dhe humbje njerëzore çmimin e okupimit, përfshirë spastrimin etnik dhe shkatërrimet, por vullneti për liri dhe pavarësi nuk u thye.

“Lavdi e përjetshme martirëve të Abrisë dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për atdheun”, ka përfunduar Haradinaj.

Lajme të ngjashme