260 punëtorëve të sigurimit në QKUK u ndërpritet kontrata – Policia e Kosovës merr përsipër sigurinë deri në kontratën e re - NACIONALE

260 punëtorëve të sigurimit në QKUK u ndërpritet kontrata – Policia e Kosovës merr përsipër sigurinë deri në kontratën e re

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rreth 260 punëtorëve të sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) u është ndërprerë kontrata e punës, ndërsa drejtori i përkohshëm i këtij institucioni, Osman Hajdari, ka refuzuar të diskutojë me ta në prani të mediave.

Sipas Hajdarit, vendimi për ndërprerjen e kontratës u mor si pasojë e një vendimi të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), i cili kërkoi ndërprerjen e kontratës së negociuar me kompaninë aktuale të sigurimi.

“Ne si QKUK kemi pasur një kontratë të negociuar me punëtorët e sigurimit. OSHP pas dy muajsh ka sjellë një vendim për ndërprerjen e saj. Si drejtor jam i obliguar ta zbatoj këtë vendim. I kemi dhënë afat kompanisë deri më 21 qershor. Ajo ka bërë ankesë në Gjykatën Komerciale dhe ka kërkuar masa të përkohshme, por deri tani nuk kemi asnjë vendim gjyqësor” -tha ai, sipas "EO".

Ai shtoi se një kontratë e re është në proces dhe se nesër pritet të nënshkruhet me një operator të ri ekonomik. Deri atëherë, pikat kyçe në QKUK do të mbulohen nga Policia e Kosovës.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës në QKUK, Hakif Sylejmani, shprehu shqetësimin për sigurinë dhe kushtet në të cilat kanë punuar punëtorët.

“Të gjithë punëtorët i kam pasur të rrezikuar, pa uniformë dhe pa kontratë. Kjo është e papranueshme për një institucion të nivelit të QKUK-së” - theksoi Sylejmani.

Edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, reagoi ashpër duke theksuar se situata është rezultat i përplasjeve mes kompanive private të sigurimit dhe interesave të tyre.

“Punëtorët nuk do të vazhdojnë punën pa kontratë. Ata do të qëndrojnë në shtëpi derisa të nënshkruhet kontrata e re. Kjo është një çështje që po shtyhet nga interesat e kompanive, jo për faj të punëtorëve” - tha Azemi.

Lajme të ngjashme