25 vjet nga kapitullimi i Serbisë, DW me një raportim për “krijimin e lidhjeve të reja mes kosovarëve dhe serbëve”
Tash 25 vjet nga Marrëveshja e Kumanovës që shënon kapitullimin e ushtrisë serbe nga Kosova, Deutsche Welle i ka kushtuar një raportim prospektit të “krijimit të lidhjeve të reja” mes të rinjve kososovarë (shqiptarë) dhe serbëve një çerek-shekulli pas.
“Kumanova, ku u nënshkrua marrëveshja, është qyteti i dytë më i madh në atë që tani quhet Maqedonia e Veriut. E vendosur afër kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ishte një vend simbolik për t'i dhënë fund luftës. Por, sot në aeroportin sportiv të Kumanovës ku u shënua historia, nuk ka asgjë për ta përkujtuar atë ditë historike”, rikujton DW në fillim të artikullit.
Për të diskutuar pikëpamjet e tyre, çfarë dinë sot për luftën dhe, më e rëndësishmja, si e shohin të ardhmen e tyre, gazetarët nga Serbia dhe Kosova të lindur në vitin 1999 u takuan disa të rinj në Kumanovë në fillim të qershorit.
“Unë nuk e kam përjetuar luftën në vitin 1999 sepse vetëm atëherë kam lindur, por prindërit dhe të afërmit më kanë treguar shumë histori”, tha Ereza Krasniqi. “Ishte një kohë e dhimbshme për ne shqiptarët”.
David Petrovic, një 25-vjeçar nga qyteti serb i Aleksinac, i cili studion letërsi në Nish dhe punon si gazetar për gazetën studentore Presing, tha: "Unë kurrë nuk kam qenë në Kosovë. Perceptimi ynë për Kosovën është formuar kryesisht nga historitë e brezave të vjetër, nga mbulimi i njëanshëm mediatik dhe nga fjalimet e politikanëve tanë”.
"Njerëzit duan paqe"
Diskutimi zbuloi se idetë e të rinjve për një të ardhme të përbashkët mund të duken shumë të ndryshme nga ato të gjeneratave të mëparshme, shkruan DW.
“Të rinjtë duan paqe dhe një të ardhme të lumtur dhe të shkujdesur”, tha Afërdita Likaj nga Kosova.
Por, me mungesë të perspektivës ekonomike, ata janë të prekshëm ndaj teorive të konspiracionit dhe ideve nacionaliste.