Çmimet e naftës: Kusari ankohet për rrëzimin e Ligjit për Çmimet Tavan, i cili i jepte kompetenca pushtetit pa paraparë organ të pavarur - NACIONALE

Çmimet e naftës: Kusari ankohet për rrëzimin e Ligjit për Çmimet Tavan, i cili i jepte kompetenca pushtetit pa paraparë organ të pavarur

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Debati për rritjen e çmimeve të derivateve ka nxitur reagime nga opozita, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për ta lehtësuar barrën mbi qytetarët. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka kundërshtuar idenë se heqja ose ulja e TVSH-së do të sillte automatikisht ulje të çmimeve në treg, duke thënë se një masë e tillë nuk garanton që përfitimi do të përkthehej te konsumatori final.

Ajo ka rikthyer në vëmendje edhe çështjen e Ligjit për Çmimet Tavan, duke u ankuar se "mekanizmat mbrojtës të shtetit për efektet te produktet e tjera janë të kufizuara, për shkak të pezullimit të Ligjit për çmimet tavan". Lidhur me këtë rrëzimin e këtij ligji, ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, kishte sqaruar se arsyeja kryesore pse ligji ishte shpallur jokushtetues lidhej me faktin se Kushtetuta e Kosovës “shprehimisht përcakton se Republika e Kosovës ka për detyrë që të themeloj organe të pavarura për rregullimin e tregut në mbrojtje të interesit publik”.

“TVSH shpesh përmendet si zgjidhje e shpejtë për uljen e çmimeve të naftës, por realiteti është më kompleks. Edhe nëse hiqet apo ulet TVSH-ja, nuk ka garanci që kjo do të reflektohet te çmimet finale për qytetarët. Ekziston rreziku real që operatorët ekonomikë të mbajnë të njëjtat çmime, duke mos e reflektuar uljen në çmimin final. Në anën tjetër, mekanizmat mbrojtës të shtetit për efektet te produktet e tjera janë të kufizuara, për shkak të pezullimit të Ligjit për çmimet tavan, pasi i njëjti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kusari Lila ndër tjera.

Caka-Nimani kishte sqaruar se problemi themelor ishte se ligji i kontestuar kompetencën për ndërhyrje në treg nuk ia kishte dhënë një organi të pavarur, siç kërkon Kushtetuta, por ministrit dhe kryeministrit. Po ashtu, ajo kishte theksuar edhe një arsye të dytë për rrëzimin e ligjit, duke thënë se “ky ligj ka përcaktuar mekanizma të ndërhyrjes në treg paralelisht me ligje ekzistuese të Republikës së Kosovës pa i ndryshuar, ose pa i plotësuar ato”, gjë që cenonte parimin e sigurisë juridike dhe krijonte paqartësi serioze për qytetarët dhe operatorët ekonomikë.

Lajme të ngjashme