Tre të mitur mes dhunuesve të 11 vjeçares: A ka brezi i lindur paslufte në Kosovë më shumë “prirje kriminale”? - NACIONALE

Tre të mitur mes dhunuesve të 11 vjeçares: A ka brezi i lindur paslufte në Kosovë më shumë “prirje kriminale”?

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Është një akt që kapërcen kufijtë tanë të fantazisë kolektive për krimin dhe që prandaj duket paralajmërues i ardhjes së një periudhe krejt të re e të errët dhune në Kosovë. A është thjesht një krim i izoluar brenda vlerave shtypëse patriarkale apo një dëshmi mbi të ashtuquajturën Gjeneratë Z në Kosovë?

Natyrisht, krimet seksuale ndaj grave në Kosovë kanë qenë të vazhdueshme dhe të kryera ndër gjenerata. Jo shumë kohë më parë, vendi do të tronditej nga përdhunimi e keqtrajtimi i një vajze të mitur nga katër të dyshuar që kishin pasur për detyrë ta mbronin: mësuesi, polici, gjinekologi dhe avokati.

Por, historia e djeshme duket se përmban një element të ri të përfshirë në krim: prej pesë të arrestuarve si të dyshuar për përdhunim, tre janë të mitur.

Siç na e dëshmon historia e gjatë mijëvjeçarëshe, patriarkaliteti bartet kollaj nga një gjeneratë në tjetrën. Megjithatë, gjenerata Z – e lindur pas luftës në Kosovë – ka pasur mundësi pakrahasimisht më të larta në informacion, duke qenë se është rritur që nga fëmijëria e hershme me qasje në internet.

Çka po ndodh me Z-në e Kosovës?

Bazuar në statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2011, janë dy grupmosha që i takojnë kësaj gjenerate (5-9 dhe 10-14). Numri i qytetarëve të kësaj gjenerate është 337 mijë e 842. Prej të cilëve, 174 mijë e 661 janë djem ndërsa vetëm 163 mijë e 181 janë vajza. Kjo nënkupton se në këtë gjeneratë në Kosovë janë 11 mijë e 480 djem më shumë.

Rasti i fundit që ndodhi në Prishtinë me 11 vjeçaren nuk është i vetmi në të cilin janë përfshirë qytetarë të mitur. Edhe në fundin e vitit të kaluar, një lajm tjetër bëri bujë e në të cilin raportohej se një i mitur kishte përdhunuar një vajzë të mitur.

Çka po ndodh me këtë gjeneratë?

Bleona Kurteshi është një sociologe e re që pjesëmerr vazhdimisht në debatet publike që shtrohen në vend. Ajo për Nacionalen përmendi ndikimin e teknologjisë dhe prirjen e madhe për krim që vjen edhe nga mediet sociale.

“Është e vërtetë që së fundi më së shumti kemi parë raste nga të rinjtë. Tradicionalisht më shumë i kemi pa nga moshat e reja – dhe kujdesin për to e ka pasë familja. Dhe tash, çkado që ndodh thonë që familja e ka pasë fajin kryesor. Të rinjtë sot janë të ekspozumë jashtëzakonisht shumë nëpër mediat sociale – dhe kanë prirje më të madhe për krim, sepse dinamika e jetës po i bën të tillë. Ata sot kanë figura ose persona që i konsiderojnë si idhuj ose shembuj të tyre – e të cilët janë persona që janë të infiltruar në një farë forme në botën kriminale. Që bëjnë thirrje për dhunë, që stigmatizojnë gratë, që i shohin si objekte seksuale...” – u shpreh znj. Kurteshi.

Po ashtu, edhe një sociologe tjetër përmendi për Nacionalen ndikimin që ka pasur “përdorimi i telefonit nga mosha e hershme” dhe qasja në “video pornografike”.

“Kur jemi te rastet e përdhunimeve edhe nga të miturit konsideroj që shkaktare kryesore është që fëmijët janë përdorues të telefonit dhe rrjedhimisht kanë qasje në video pornografike dhe nga ajo që shohim mundohen t’i imitojnë dhe praktikojnë edhe vet ata.” – u shpreh znj. Rrustemi.

Kush janë prindërit e këtyre fëmijëve?

Së fundi, një konflikt i ashpër ka shpërthyer në mediet sociale të Internetit me aktivisten Xheraldina Rexhepi që ka fajësuar prindërit e personave të përfshirë në dhunimin e 11 vjeçares. Ajo konkretisht e bëri me faj “nënën”, duke nxitur me të drejtë reagime për gjuhën seksiste.

Por, kush janë prindërit e këtyre fëmijëve?

Prindërit e Gjeneratës Z bëjnë pjesë në Gjeneratën X (me përjashtime), e të cilët janë të lindur mes viteve 1965 dhe 1980. Kjo gjeneratë ka përjetuar kthjellët në periudhë rinore (si të mitur vetë) opresionin e tmerrshëm politik e social nga ana e ish regjimit (1987-1999) por edhe ka bartur barrën kryesore në organizimin e luftës në Kosovë.

Sociologia Bleona Kurteshi përmend rolin e familjes në edukim, por edhe rolin që kanë dënimet minimale që u janë dhënë gjeneratave të mëparshme e nga të cilat po frymëzohet gjenerata Z.

“Familja është shumë e rëndësishme me e pasë parasysh se çfarë vlerash po bartë te fëmijët e tyre. Dhe po ashtu dënimet minimale që po i marrin të tjerët – në këtë rast të rriturit – po i bëjnë të miturit të mendojnë se mund të kalojnë pa u dënuar nëse bëjnë krime.” – u shpreh ajo.

Në anën tjetër, Bukurie Rrustemi i tha Nacionales që e domosdoshme ishte të përfshihej edukimi seksual në shkolla.

“...është e domosdoshme që në shkolla të përfshihet edukimi seksual dhe jo edhe ato pak mësime që janë nga kjo fushë mësimëdhënësit t’i tejkalojnë pa i shpjeguar,”

I të njëjtit mendim ishte edhe aktivistja për të drejta të grave, Jeta Berisha, e cila kërkoi që madje edukata seksuale të përfshihej edhe në familje e jo vetëm në shkolla.

*Me sociologet Kurteshi dhe Rrustemi ka biseduar gazetari Burim Pacolli.

Lajme të ngjashme