Teksa gratë në Iran po protesojnë në rrugë, gratë arabe po rebelohen me një platformë për shëndetin seksual - NACIONALE

Teksa gratë në Iran po protesojnë në rrugë, gratë arabe po rebelohen me një platformë për shëndetin seksual

1 javë më parë

nga NACIONALE

“A e keni provuar ndjesinë e orgazmës?”, pyeti Teta, duke buzëqeshur. “Epo, gjyshi yt nuk më ndihmoi kurrë ta provoja”.

Kjo deklaratë e guximshme është edhe më tabu, sepse Teta është një grua arabe. Është një nga historitë e vërteta të dërguara në mënyrë anonime e transmetuar në Hakawatiyya, një seri rrëfimesh me tre sezone e shfaqur në Mauj, platforma dixhitale revolucionare për gratë arabe, si unë, ku flitet hapur për shëndetin seksual, dëshirën dhe kënaqësinë. Është e para e këtij lloji.

Mauj, që do të thotë “valë” në arabisht, filloi në shtator të vitit 2020 nga një grup grash (anonime) arabe nga Xhedah, Bejruti, Dubai dhe Kajro, të cilat dëshironin një përvojë më të mirë të edukimit për shëndetin seksual dhe riprodhues për gratë e shteteve të tyre. Platforma ofron burime shkencore, këshilla profesionale dhe një hapësirë ​​të sigurt në formën e një profili në Instagram në anglisht dhe arabisht, si dhe Amwaj, grupin e saj privat në Facebook që u mundëson grave të komunikojnë me gra të tjera arabe dhe të flasin për shqetësimet e tyre me gjinekologët, me terapistët e marrëdhënieve seksuale dhe këshilltarët e çifteve. Në një pjesë të botës ku turpi, fshehtësia dhe shtypja dominojnë çështjet që kanë të bëjnë me dëshirën femërore, propozimi virtual i Mauj shihet si revolucionar dhe i kontestueshëm.



Por themelueset shkuan një hap më tej me një tjetër krijim shkatërrues: Deem (që në arabisht do të thotë “shi i vazhdueshëm” dhe “kënaqësi e pafundme”), është produkti i parë intim i krijuar për të ndihmuar gratë arabe të zbulojnë seksualitetin dhe kënaqësinë e tyre sipas mënyrës së tyre. Sigurisht, duke pasur parasysh mjedisin ku jetojnë klientët e tyre, produkti nuk duhet të ekspozohet haptas. Një artikull rozë në formë sferike që mund të ngatërrohet lehtësisht me çdo send të higjienës personale, emri “Mauj” nuk figuron në produkt, në ambalazh apo transaksionet financiare, dhe paketa nuk përmban udhëzime që tregojnë se për çfarë shërben, por ata që e njohin, dinë si ta përdorin atë.

Duke qenë vetë një grua arabe, mund të dëshmoj se kur nuk ka asnjë që duket si ju që diskuton për çështje të tilla si seksi dhe kënaqësia, dhe dikush fajësohet për eksperiencat “e ndaluara” njerëzore, atëherë ky komunitet është një spirancë. Nuk mund ta theksojmë sa duhet rëndësinë e Mauj, që i vendos gratë arabe në qendër të këtij diskutimi. Është hera e parë, por sigurisht nuk duhet të jetë e fundit. Është vetëm fillimi i një diskutimi që na është dashur ta bënin me kohë.

Noran Morsi është gazetare e pavarur që jeton në qytetin e Nju Jorkut, e cila është me prejardhje nga Kajro. Ajo është kandidate për studimet master në artet e bukura pranë Universitetit të Nju Jorkut në programin e reportazhit letrar dhe bashkëgazetare në YouTube.

Lajme të ngjashme