'Të gjithë' në mbrojtje të Rita Orës pasi këndoi duke mbajtur flamurin e Serbisë - NACIONALE

'Të gjithë' në mbrojtje të Rita Orës pasi këndoi duke mbajtur flamurin e Serbisë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Këngëtarja britanike me origjinë nga Kosova, Rita Ora, ka nxitur një mal reagimesh në rrjetet sociale pasi doli videoja nga performanca ku ajo mbante një flamur të Serbisë. Çka po thonë këto reagime?

Së pari, të shpjegojmë se çka ndodhi.

Rita Ora shihet derisa e mban në duar një flamur të Serbisë e të cilin në një moment e vendos edhe mbi supe. Nuk e gris apo përdhos në ndonjë mënyrë. Thjesht sillet me të siç do të sillej mbase me secilin prej flamujve të shteteve të botës.

Ironikisht, pak metra larg saj na shfaqet edhe një flamur i Kosovës. Por, asgjë e jashtëzakonshme!

deklaratën e saj për media, Ora ka deklaruar se flamuri i ishte dhënë nga një “fans i ri”.

“Prej ndiçimit direkt në sy e në skenë, nuk pashë qartë se cilin shtet përfaqësonte flamuri.” – vazhdoi ajo.

Ora shtoi se kishte menduar që flamuri ishte i Hungarisë, shtet në të cilin po e bënte performancën.

Mbrojtje

Reagimet mbrojtëse ndaj këngëtares Ora ishin të shumta, megjithëse ato sulmuese nuk shiheshin gjëkundi (të paktën jo, mes figurave publike).

“Rita Ora është qaq artiste e madhe sa që nuk mundet me i njoftë flamujt e shteteve të vogla!”shkroi humoristi Fatmir Spahiu. Shpresojmë që mbiemrin “vogla” ta ketë përdorur në kuptim të figurshëm, pasi... shtet i vogël jemi edhe ne.

Aktivisti Ehat Miftaraj duke bërë humor po ashtu i shkroi këto fjalë:

“Rita Ora gjatë koncertit është dashtë me ndalë performancën, me ba një analizë gjeo-strategjike se cilin flamur e ka në dorë, me ja futë një fjalim politik në koncert e pastaj me vazhdu performancën.”

Fatkeqësisht, në reagimin e saj Ora nuk ka treguar se çka do të bënte nëse do ta merrte vesh se po mbante në dorë flamurin e Serbisë.

Mbështetje këngëtares i kanë dhënë edhe analistja Zana Avdiu, politikanet Vlora Çitaku, Eliza Hoxha e shumë e shumë të tjerë.

Kujtojmë se Rita Ora kishte bërë bujë të madhe pas reagimit të saj negativ kur në billbord ishte shfaqur tenisti serb Novak Gjokoviq para më shumë se një muaji.

Lajme të ngjashme