Studiuesi i ri grek: “Gjuha e kultura arvanite po zhduken”
Sara Tsugranis*
Nicholas Athanasopoulos diplomoi më 2025 në St. Joseph’s University me tezën e tij studimore mbi arvanitët, një grup etnik që jeton në Greqi dhe ka prejardhje shqiptare. Nicku është nga Cresskill, New Yersey, dhe ndjek Mitropolinë e Katedrales së Shën Gjonit në Tenafly, New Jersey. Në këtë Universitet, në drejtimin e Dr. Kazuya Fukuoka, udhëheqës i Departamentit të Shkencave Politike, Nick Athanasopolousi vendosi të studionte se si arvanitët e ndjesojnë identitetin e tyre në Greqinë bashkëkohore në kuadër të projektit kërkimor për tezën e tij në shkenca politike.
Pasardhës të shqiptarëve etnikë, arvanitët u vendosën në Greqi qysh në shekullin e 14-të në kohën e Perandorisë Lindore Romake ‘Bizantine’ në vitet që pasuan Murtajën e Zezë. Gjatë Murtajës së Zezë, plot fshatra etnikisht greke në periferi u shkretuan nga dergja, mbeten të braktisura dhe të përshtatshme për rivendosje grupesh si puna e arvanitëve.
Kërkimi i Nickut u frymëzua prej gjyshes Maria, e cila një ditë i tregoi atij se ajo dinte të fliste pak shqip. Ajo i tha të nipit se e mësoi prej njerëzve në fshatin e saj, Kranidi, ku kishte popullatë të shumtë arvanite. Nicku u kureshtua për nënkuptesat e asaj që i rrëfeu gjyshja. Vallë a ishin ata pjesërisht me gjak shqiptar?
Nicku iu përvesh punës për të hulumtuar rrënjët e banorëve arvanitë në Kranidi. Arvanitët u vendosën kryesisht në Peleponezin verior rrotull Korinthit, Kranidit dhe Arkadisë – aty nga vjen emnaku i Nickut, baba Niko. Çfarë do të thotë të jesh nga një identitet i veçantë etnik, pyeti ai, dhe a përcaktohemi pastërisht nga gjaku apo nga kultura?
Teksa Greqia është modernizuar dhe është bërë pjesë e botës globale, arvanitët janë pjesë e një rrëfimi që është i pakundshoq për ta, porse e prek më shumë Greqinë fshatareske. Greqia vrullshëm po urbanizohet teksa turizmi vazhdon të shtohet tok me mediat sociale, dhe ndërsa vendi po urbanizohet, jeta në fshatra e periferi po stërkeqet. Seç ka një theks në kulturën greke dhe shoqërinë globale për me qenë ‘modern’. Shumë përparime të domosdoshme i kanë ngjallur bashkësitë rurale, porse studimi i Nickut gjakon të vë në dukje se çfarë mund të mësojmë nga e kaluara, prejardhësia jonë, dhe lidhja jonë me ‘botën e moçme’.
Në kohë e sipër, mbajtja e fesë në Greqi ka rënë dora-dorës. Nicku vë në dukje rëndësinë e institucioneve mbrojtëse si Kisha që e ushqejnë kulturën përmjet himneve, gjuhës e valleve. Teknologjia bashkëkohore e ka çtheksuar rëndësinë e bashkëllëkut, duke bërë që njerëzit të katandisen në më shumë izolim, vetmi, angështi e ankth. “Ka një humbje të pafundme kur ajo kulturë humbet dhe nga kjo gjë tani kanë frikë grekët dhe greko-amerikanët”, thotë Nicku.
Paçka se pakica etnike e gjuhësore si arvanitët kanë jetuar për shekuj në Greqi, me kohë këto grupe pakicash janë anashnxjerrur dhe asimiluar nga shumica e kulturës greke. Humbja e kulturave të këtyre pakicave sjell humbje kreativiteti, bashkërendimi e risimtarie, teksa identiteti ynë më i madh grek përfuqizohet duke i ruajtur kontributet kulturore e gjithçka sjellin këto grupe pakicash. Njashtu sikur greko-amerikanët japin kontribute unike për kulturën amerikane, edhe arvanitët e bëjnë të njëjtën gjë për kulturën greke.
Nicku vuri re vështirësitë që dolën gjatë hulumtimit të tij për shkak se Greqia nuk ka një regjistrim ashtu siç e bën ShBA. Hamendësohet se gjithsecili është etnikisht grek dhe flet greqisht, dhe kësodore pikasja e folësve të arvanitishtes ishte e ndërliqshme.
Studimi i Nickut shfrytëzoi raporte studimesh që i përktheu në anglisht nga greqishtja e shqipja. Ai lexoi intervista e njoftime antropologësh që i kanë studiuar bashkësitë arvanite. Shumë nga arvanitët nuk deshën ta ndjesonin veten si shqiptarë, por si grekë, apo thanë se identiteti i tyre kulturor e gjuhësor është plotësisht grek dhe se nuk ndjenin asfarë lidhje me Shqipërinë apo me diasporën e madhe shqiptare.
Sidoqoftë, arvanitët nuk janë monolitë. Të tjerë e identifikuan prejardhjen e tyre shqiptare, dhe Nicku vuri re se kjo ishte veçanërisht e vërtetë në vitet ’90, kur sërish filloi imigracioni shqiptar drejt Greqisë duke pasuar Luftën e Ftohtë dhe rënien e regjimit socialist në Shqipëri. Shumë shqiptarë u vendosën në periferitë e Greqisë për të kryer punë të lirë krahu e paskëtaj u lidhën me bashkësitë e vjetra arvanite. Një arvanit, intervistën e të cilit e gjeti Nicku, e përshkroi këtë lidhje si ribashkim me “farefisin e humbur prej kohësh”.
Gjetjet më të mëdha që nxori Nicku gjatë kërkimit të tij ishin rëndësia e shumëgjuhësisë dhe ruajtja e lidhjes me traditën. “Mos e ndiqni modernitetin me çmimin e humbjes së traditave tuaja”, theksoi Nicku. Shumë arvanitë nuk e panë të hajrit që ta përcillnin gjuhën e tyre, duke e lënë pasdore shumëgjuhësinë. Për pasojë, tradita gjuhësore që ekzistoi ç’prej shekullit të 14-të prakikisht u zhduk.
“Si brezi i dytë a i tretë i greko-amerikanëve, ne po rrezikojmë ta humbim lidhjen tonë me Greqinë”, thotë Nicku. “Ne mund të mësojmë prej arvanitëve ashtu që të mos bëjmë të njëjtin gabim e ta shpërfillimin rëndësinë e shumëgjuhësisë”. Nëse greko-amerikanët, ashtu si arvanitët, nuk ia dalin ta ruajnë dallueshmërinë e tyre etnike e gjuhësore, edhe ata mund të homogjenizohen në kulturën e shumicës amerikane.
Krahas nënvizimit të këtij mësimi, studimi i Nickut mbi arvanitët mbamendëson një pjesë të rëndësishme të historisë mesjetare e moderne të Greqisë; e përnjeh rëndësinë e shumëkulturalizmit dhe ruajtjes së kulturës; dhe i shpalos arvanitët para një audience të madhe amerikane. /Nacionale/
*Shkrim i botuar në mediumin ‘Orthodox Observer News’ të Arkdioqezës Greko-Ortodokse të Amerikës. Shqipëroi: Col Mehmeti