Shumë nxehtë, shumë libra, shumë shtrenjtë
E premtja ishte shumë më e ngjeshur me vizitorë në Panairin e Librit që po mbahet në Pallatin e Rinisë. Fundjavën janë duke e pritur edhe shtëpitë botuese e edhe vetë organizatorët. Ata presin që shumë njerëz që kanë qenë të zënë me punë gjatë javës, të shfrytëzojnë të shtunën dhe të dielën për të vizituar panairin. Por cilëndo që e pyet nga shtëpitë botuese, asnjë nga to nuk mund të thotë që janë të kënaqura me shitjen e librave.
Edon Zeneli nga Shoqata e Botuesve të Kosovës thotë se në përgjithësi është i kënaqur me mbarëvajtjen e panairit, gjithashtu edhe me numrin e vizitorëve, por nuk ishte në gjendje që të flasë me numra kur Nacionale e pyeti nëse ka ndonjë shifër.
“Por ajo që mund të të them është se po presim shumë më shumë njerëz gjatë së premtes, së shtunës, dhe të dielën kur edhe mbyllet panairi. Kur të mbyllet mund të flasim me shifra”, tha Zeneli.
Një vizitor që Nacionale e takoi teksa po shikonte nëpër shtande të ndryshme, tha se është duke u çuditur me çmimet e shtrenjta në Panair.
“Këtu nuk duket sikur Panair, por më shumë si organizim i shumë shtëpive botuese në një vend. Lirime të çmimeve nuk po shoh”, tha ai. Kur u pyet për emrin, refuzoi ta tregonte.
Por, Shqipe Musliu, një nënë që kishte ardhë në Panair me fëmijët e saj, pranoi të fliste, bile me irritim.
“Unë erdha me këqyrë me i ble disa libra për fëmijë, ama shumë shtrenjtë. Këta po lakmojnë se shumë tituj, ama nuk po ka hesap”, tha ajo, teksa mundohej që të kujdesej që fëmijët të mos insistojnë në libra të ndryshëm.
Po për shitësit, fëmijët janë klientët më të mirë. Ata mundohen që t’ua reklamojnë titujt e librave duke u munduar që t’ua shpjegojnë në mënyrë interesante.
“Kjo është për lepurusha, a të pelqëjnë lepurushat?”, i pyeste fëmijët njëri nga shitësit.
Numri i fëmijëve në ditën e premte në panair ishte i madh, sidomos i atyre të organizuar nga çerdhet dhe shkollat e klasëve të para. Kujdestarët e tyre e kanë shumë problem që t’i mbajnë në rend fëmijët teksa hynë në turmën e të rriturve që ecin pa asnjë kontroll teksa shikojnë titujt e librave. Kur hyn brenda në dy sallat e Panairit, të nxihet fryma. Nëse rrin më shumë se 1 orë, të krijohet përshtypja që do të mbetesh pa frymë. Djersitja është e pashmangshme. Për këtë janë të vetëdijshëm edhe ata që u duhet të rrinë gjithë ditën brenda.
“Valla boll zheg, po ski çka me bo”, tha një nga ta. Për dallim prej tij, unë dhe të tjerët vizitorë kemi zgjidhjen. Të dalësh jashtë dhe të shpresosh që më vonë do të flladitet, falë shiut.