Shkencëtarët zgjidhin misterin 500-vjeçar të Leonardo da Vincit rreth zemrës së njeriut
Shkencëtarët zbulojnë funksionin e trabekulave - fibrave muskulore që rreshtojnë zemrat e njerëzve. Strukturat u përshkruan për herë të parë nga Leonardo da Vinci më shumë se 500 vjet më parë. Trabekulat kanë një efekt në performancën dhe dështimin e zemrës.
Rrjeta e fibrave muskulore të quajtura trabekula rreshtojnë sipërfaqen e brendshme të zemrës dhe më në fund shkencëtarët treguan se çfarë ndikimi kanë ato në funksionimin e zemrës. Rrjeta, duke shfaqur modele të veçanta fraktale që i ngjajnë flokeve të borës, fillimisht u skicua nga Leonardo da Vinci në shekullin 16.
Në fillet e zhvillimit të njeriut, zemra krijon trabekula të cilat shfaqen si modele gjeometrike në sipërfaqen e brendshme. Ndonëse qëllimi i tyre gjatë kësaj faze duket të jetë të ndihmojë oksigjenimin e zemrës në rritje, funksioni që trabekulat kryejnë tek të rriturit nuk është kuptuar më parë. Da Vinci mendonte se struktura trabekulare ngroh gjakun që kalon nëpër zemër.
Për të kuptuar me të vërtetë se çfarë bëjnë këto rrjeta, një ekip ndërkombëtar hulumtues përdori inteligjencën artificiale për të kaluar përmes të dhënave të 25000 skanimeve MRI* të zemrës. Ata shikuan gjithashtu të dhënat e lidhura me morfologjinë e zemrës dhe gjenetikën. Shkencëtarët vunë re se sipërfaqja e ashpër e barkusheve të zemrës ndihmon në efikasitetin e rrjedhjes së gjakut gjatë një rrahjeje zemre, ngjashëm me mënyrën se si vrimat në një top golfi ulin rezistencën e ajrit, shtjellohet në njoftimin për shtyp të ekipit. Po ashtu u zbuluan se ekzistojnë gjashtë rajone në ADN-në e njeriut, që përcaktojnë se si formohen saktësisht modelet fraktale në fibrat e muskujve.
Ekipi që punonte në projekt përfshinte Ewan Birney-in nga Instituti Bioinformatik i Laboratorit Evropian të Biologjisë Molekulare.
"Gjetjet tona u përgjigjen pyetjeve shumë të vjetra në biologjinë bazike njerëzore", shpjegoi Birney.
"Gjersa gjenetika dhe inteligjenca artificiale po përparojnë në një shkallë të gjerë, ne po rifillojmë të kuptuarit tonë mbi fiziologjinë në një shkallë të paprecedent", shtoi ai.
Një tjetër pasqyrë e rëndësishme është forma e trabekulave, e cila ndikon në performancën e zemrës. Analiza e të dhënave të 50 000 pacientëve vërtetoi se modelet e ndryshme të fraktalit mund të ndikojnë në rrezikun e dështimit të zemrës.
Ndër të tjera, studimi tregoi se njerëzit që kanë më shumë degë trabekulash duket se janë në rrezik më të ulët për dështimimin eventual të zemrës.
Declan O'Regan, shkencëtar klinik dhe radiolog në Institutin e Shkencave Mjekësore MRC në Londër, tha se ndonëse puna e tyre është ndërtuar mbi vëzhgime mjaft të vjetra, ajo mund të jetë vendimtare për njerëzit e sotëm.
“Leonardo da Vinci skicoi këta muskuj të ndërlikuar brenda zemrës 500 vjet më parë, dhe vetëm tani po fillojmë të kuptojmë se sa të rëndësishëm janë ata për shëndetin e njeriut”, tha O’Regan.
"Kjo punë ofron një drejtim të ri premtues për kërkime rreth dështimit të zemrës, që ndikon në jetën e gati 1 milion njerëzve në MB”, përfundoi ai.
Shkencëtarë të tjerë pjesëmarrës vinin nga Universiteti i Heidelberg-ut, Laboratori Cold Spring Harbor dhe Politecnico di Milano.
*MRI – Imazhet e rezonancës magnetike. Përdorin një fushë magnetike të fuqishme, radiovalët dhe kompjuterin për të prodhuar fotografi të detajuara të një pjese të brendshme të trupit tuaj. Mund të përdoren për të ndihmuar në diagnostikimin ose monitorimin e trajtimit për një sërë sëmundjesh. [shënim nga përkthyesja]