Serbia e ndalon festivalin "Mirëdita, Dobar dan" - NACIONALE

Serbia e ndalon festivalin "Mirëdita, Dobar dan"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas protestës së mbajtur kundër organizimit të festivalit “Mirëdita, Dobar dan”, autoritet në Serbi kanë urdhëruar ndalimin e mbajtjes së këtij festivali. Me urdhër të institucioneve në Serbi, edicioni i 11-të i festivalit “Mirëdita, Dobar dan”, që planifikohej të niste sot, është anuluar.

Për më shumë, ekipi i Kosovës është ndaluar nga Policia e Serbisë rreth 25 kilometra afër hyrjes në Beograd, duke marrë sërish rrugën e kthimit në shtetin kosovar.

Ivica Daçiq, zëvendëskryeministër i Serbisë dhe ministër i Brendshëm, ka dhënë urdhrin për ndalim.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë urdhër që të ndalohet tubimi publik ‘Mirëdita, dobar dan!” për shkak të rrezikut për cenimin e sigurisë së njerëzve dhe të pronave prej prishjes së rendit dhe qetësisë publike në përmasa më mëdha” – citohet të ketë thënë Daçiq.

Natash Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka komentuar ndalimin e festivalit “Mirëdita, Dobar dan” nga ana e autoriteteve në Serbi. Sipas Kandiqit, Serbia dhe institucionet e saj e kane rreshtuar veten me huliganët.

Tutje, krejt këtë zhvillim, Kandiq, që është aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut, e ka vlerësuar si “një vrimë e zezë”.

“Me ndalimin e [festivalit] "Mirdita", Serbia dhe institucionet e saj e kanë rreshtuar veten me huliganët dhe me terrin më të madh etnonacionalist. Nuk është më e mundshme që të organizohet një debat për njohje, as një protestë kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës. Një vrimë e zezë” – ka shkruar Kandiq në “X”.

Çka raportoi Nacionale?

Sot është planifikuar të fillojë festivali “Mirëdita, Dobar dan” në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Megjithatë, para hapjes së festivalit që synon të përbashkojë dy shoqëritë e hasmuara, ka pasur protesta.

Protestat shpërthyen këtë mesditë, ndërsa protestuesit po kundërshtojnë mbajtjen e këtij festivali, që mbahet rregullisht dhe pa ndonjë telashe në Kosovë.

Siç raporton medium opozitar serb “N1”, pesëdhjetë persona janë mbledhur në një shesh të Beogradit, duke penguar të tjerët për t’u futur në vendin ku pritej të organizohej hapja e festivalit.

Ata në duar kanë mbajtur disa flamuj të Serbisë dhe kanë brohoritur parulla. Protestuesit kanë kundërshtuar mbajtjen e festivalit, duke akuzuar se ai promovon Kosovën e pavarur.

Ndërsa sipas mediumit tjetër serb “Novosti”, protestuesit janë nga grupet e fansave të Crvena Zvedzës, një nga klubet më të mëdha të Serbisë.

Në një grup në Telegram, tifozët e këtij klubi, që njihet për traditë nacionaliste, ka ftuar për protestë, duke përdorur edhe propagandë.

“Përderisa fëmijtë serbë po vuajnë në Kosovë, a duhet kryeqyteti serb të promovojë një Kosovë të pavarur? Nuk do të mund ta bëjë këtë” – thuhet në mesazhin e këtyre fansave.

Festivali “Mirëdita, Dobar dan” mbahet që nga viti 2014 dhe është festival që përbashkon artin, kulturën, avokimin dhe debatin publik.

Ky festival synon të mbledh artistët, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe aktivistët e paqes nga Kosova dhe Serbia, duke nxitur perspektivën regjionale dhe forcuar bashkëpunimin dhe ndërtimin e paqes.

Lajme të ngjashme