Prishtinë e prishtë: Pamje horror por edhe të bukura nga kryeqyteti për 20 prill - NACIONALE

Prishtinë e prishtë: Pamje horror por edhe të bukura nga kryeqyteti për 20 prill

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sot ishte një ditë me mot mjaft të luhatshëm në Prishtinë. E Prishtina, ashtu e prishtë siç është, përjetoi shëmtimin dhe zbukurimin e saj brenda kësaj dite që shënon edhe Ditën e Barit (Kanabisit).

Fjollat e borës në mëngjesin e hershëm dhanë shpresë se megjithatë një pjesë e shëmtive të kryeqytetit do të zhdukeshin nën bardhësinë e saj. Por, këto fjolla bore më pas shkriheshin dhe përziheshin me shi, duke e bërë edhe më të trishtë dhe horror gjendjen në kryeqytet.

Fotografi Valdrin Xhemaj i gazetës Nacionale i bëri një varg fotografish, por ne kemi përzgjedhur të botojmë vetëm disa prej tyre, duke pasur kujdes për shëndetin tuaj mendor.

Rreth orëve të para të mesditës, megjithatë, gjendja e motit përsëri ndryshoi dhe bora u bë më e dendur, duke zbardhur pamjen e përgjithshme e duke fshehur sërish shëmtitë e kryeqytetit.

Në një tekst që do të botohet ditët në vijim, ne do të flasim për ndikimin që ka arkitektura e kryeqytetit në shëndetin mendor të popullsisë.

Lagështi e shëmti

Pamjet e mëepërme kanë qenë pjesë e përditshmërisë së syve të kalimtarëve të kësaj ane për çdo ditë, prej që e mbaj mend.

Ndoshta gjatë stinës së nxehtë, uji thahet dhe zbraztira zbulohet, duke e bërë inekzistent pellgun e mëposhtëm.

Është pjesa e vjetër e qytetit, e njohur si "plepat". Urojmë që Xhemaj të jetë në disponim të mirë pas këtyre pamjeve.

Tezgë e shëmtuar dhe e braktisur

Imazhet lart janë miks i infratrukturës së tmerrshme dhe logjistikës së demoluar. Paletat që zakonisht janë të mbushura me pemë e perime në këtë 'tezgë' të Tregut të Gjelbër, janë braktisur nga zarzavatet dhe janë lënë në mëshirën e borës dhe atmosferës depresive.

"Syzat me dioptri" dhe "poema e mjerimit"

Tjetër pamje nga Tregu i Gjelbër, e që nënvizon tutje skenat të cilave "poema e mjerimit" do t'ia kishte zili.

"Syza me Dioptri" shkruhet në tezgën në të djathtë, por ndoshta do të ishte më mirë të shihnim sa më pak që mundemi nga kjo.

Pikturë e mraz

Një foto tjetër që nxjerr Prishtinën si kryeqytet me pamje të vjetër, është kjo e një dyqani që shet piktura, në sfond me fjolla dëbore.

Trafik e skllotë

Në miksin e shëmtirës futni trafikun dhe gjeni një popull të fiksuar pas automjeteve. Nganjëherë keni ndjesinë se një familje përdor tri vetura. Në të djathtë, kolonë e gjatë e atyre që po kontribuojnë në mundësinë e vet në katrahurën urbane, në anën tjetër, vetura të parkuara. Një trotuar i ndan në mes ata që preferojnë këmbët si 'mjete transporti'.

Bukuri para shëmtisë

Fotoja më lart të jep një ndjesi paksa më shliruese se jo gjithçka është aq horror. Një shesh dinjitoz, i punuar së fundmi... ca pemë që i kanë shpëtuar sharrave gllabëruese të njerëzve. Këto janë pamje paksa më dinjitoze që do t'i shihni, para se të arrini te tmerri i "plepave" pak metra më larg.

Futboll mbi pëlhurën e borës

Jemi kureshtarë të dimë nga ky aksion në zhvillim... a arriti ta mbajë posedimin lojtari me numrin 9? Dribloi lojtarin me numrin 5 të Ramiz Sadikut, apo ky i fundit nxori më të mirën nga momenti? Vetëm fotografi Xhemaj mund ta dijë përgjigjen, por vështirë se dikush do ta merrte guximin t'i bënte një pyetje të tillë. Nëse jeni kurreshtarë, Vitia fitoi këtë ndeshje të Ligës së Parë, me rezultat 3-1.

Armaturë me bollëk

Bora dhe lagështia nuk ndalin punimet ndërtimore. Ah, sikur të punohej me kaq zell në gjëra që janë e kundërta e kaosit urbanistik... Armatura ka me bollëk në Vetërnikun që dikur të jepte mundësinë të shihje pak më larg se 100-200 metra me hapësirën e gjerë mes rrugës. Armaturat dhe betoni janë më të rëndësishme se estetikja.

Bashkëjetesë me ujërat e zeza

Ndërtimi i Kolektorit në lagjen 'Kalabria' të Prishtinës, vazhdon të mbetet ëndërr. Mijëra banorët duhet të flejnë e të zgjohen nën kundërmimin e tmerrshëm që lirohet nga ujërat e zeza. Madje, edhe dritaret në disa raste banorët e kanë të pamundur t’i hapin. Qysh nga mandati i parë i Shpend Ahmetit, rregullimi i këtij problemi ka qenë premtim në secilën fushatë. Por, të gjitha mbetën vetëm në letër. Kjo pjesë tash është kthyer edhe në vendqëndrim të brejtësve, por edhe deponi mbeturinash.

Ndërkohë, si për ironi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama lobon për ruajtje të ambientit. "Jo vetëm të mendojmë, por të veprojmë gjelbër", thotë ai.

Si pikënisje për të do të ishte mirë të 'vepronte" në marrjen e masave ndaj këtij problemi në lagjen 'Kalabria'.

Plakat shkunden mbi Albright

Zonja emblematike Albright dhe skllota në Prishtinë, kombinim i zymtë. Ende është e freskët plaga e kosovarëve për ndarjen nga jeta e asaj që pati rol jetik në ekizstencën e Kosovës, derisa pamjet e bustit të saj duke përfunduar në anën e kundër të asaj që njihet si 'shkundja e plakave', të jep një ndjesi të trishtë.

Lajme të ngjashme