Petrovci për deklaratat e tij kontroverse për Millosheviqin: Ishte bisedë shoqërore, e kam hedhur në gjyq gazetaren - NACIONALE

Petrovci për deklaratat e tij kontroverse për Millosheviqin: Ishte bisedë shoqërore, e kam hedhur në gjyq gazetaren

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Enver Petrovci thotë se e ka hedhur në gjyq gazetaren Tamara Spaiq, e cila ka cituar fjalë të tij nga një bashkëbisedim shoqëror e jo zyrtar në një kafene vite më parë, ku ai ka shprehur "dashuri" për Slobodan Millosheviqin.

Uebsajti serb "NIN", në një postim, iu referua një deklarate apo citimi të gazetares serbe Tamara Spaiq nga një bashkëbisedim me Petrovcin pasi ky i fundit ishte kthyer nga festivali i mirënjohur "Mirëdita, Dobar Dan!"

Në intervistën me titull "Më vjen turp që jam gjallë", Petrovci, ndër të tjerash, citohet të jetë shprehur nga Spaiq:

"Një rom nga qyteti ishte më i afërt për mua se një shqiptar nga fshati.

“Në çfarë rruge ecë sot elita qytetare në Prishtinë? Fshatarët e kanë kultivuar veten aq shumë sa nuk mund ta dish më se kush është fshatar e kush jo nga pamja e jashtme. Millosheviqi na modernizoi të gjithëve, ne pamë botën. Falemnderit përgjithmonë... Prandaj, e vlerësova Millosheviqin... fotografinë e tij e kam mbajtur gjithmonë dhe gruaja ime e ka hequr gjithmonë. Unë e vendosja, ajo e hiqte.”

Një deklaratë absolutisht e papranueshme dhe fyese për popullin e përvuajtur nga të bëmat e diktatorit jugosllav, i cili mbahet si përgjiegjësi kryesor për vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-a.

Nacionale pyet Petrovcin nëse njëmend tha diçka të tillë

Me t'u rikthyer në vëmendje deklarata e tij e tri viteve më parë, Nacionale kontaktoi me Petrovcin për të kuptuar më shumë rreth citimeve problematike që i janë bërë nga Spaiq.

"Shihe, këtë gazetare e kom qitë n'gjyq. Po, po ka dy-tre muaj që e kom qitë n'gjyq, po gjyaktësi s'po më thërret", thotë ai fillimisht.

Megjithatë, Petrovci refuzon ta mohojë se realisht ka thënë diçka të tillë për Millosheviqin, por shton se e ka bërë me ironi, duke potencuar se në të njëjtin diskutim me Spaiq ka thënë se edhe serbët duhet ta ndërtojnë një përmendore të Adem Jasharit në shenjë "turpi për atë që i kanë bë asaj familje".

"Është e vërtetë se kam thënë edhe se Millosheviqi është armiku më i madh i serbëve. E dikush që është armiku i serbëve, punon për neve. Këtë e kam thënë në Serbi. E atëherë me thënë këtë ka qenë shumë e rrezikshme", thotë fillimisht ai.

I pyetur për deklaratën e cituar nga Spaiq ku ai ka thënë se mban fotografinë e Millosheviqit në muri të shtëpisë, ai ka thënë:

"Ajo ka qenë ironike", shton ai, duke e pranuar se e ka thënë por me ironi.

"Natyrisht se unë nuk i kom dhënë intervistë asaj për gazetë. Po ne kemi nejtë në kafe, edhe kemi folë, bile ka qenë edhe Milaim Zeka. Çka kemi folë muhabet n'kafe, ajo i ka qitë atje".

Tutje, ai thotë se i kujtohet edhe diçka tjetër nga ai diskutim problematik me gazetaren Spaiq atë ditë:

“Edhe diçka tjetër kom thënë në atë muhabet, tash mu kujtua. I kam thënë ‘do të vijë dita kur ju në Beograd do t’ia ngritni përmendoren Adem Jasharit nga turpi çka keni bë me atë familje”, potencoi Petrovci.

Kush është Enver Petrovci?

Enver Petrovci është një aktor kosovar i lindur më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Ai i ka kontribuuar kulturës së vendit si aktor, shkrimtar dhe regjisor. Petrovci e kishte kryer shkollimin për aktrim pikërisht në Beograd dhe ishte vlerësuar në role të ndryshme që kishte luajtur.

Ai ka qenë dhe mbetet aktiv edhe tash. Mes filmave të rëndësishme ku ka marrë pjesë janë: “Migjeni” (1990); “Rojet e mjegullës” (1980); “Vrenje” (1986); “Kur pranvera vonohet” (1980); “Krojaci dzinsaI” e të tjerë.

Komentet e tij politike vazhdimisht kanë shkaktuar polemika të shumta nëpër rrjete sociale.

Lajme të ngjashme