Për herë të parë ekspozohen veshjet 100-vjeçare të klerit katolik shqiptar
Për herë të parë në Muzeun e Dioqezës së Shkodrës, janë ekspozuar Veshjet liturgjike të klerit katolik shqiptar, të 100 viteve të fundit.
Me ndalimin e fesë, veshjet liturgjike të priftërinjve u sekuestruan nga regjimi dhe në ndryshim nga pasuritë e tjera të kishës, nuk u shkatërruan por u vendosën në muzeun ateist duke i përdorur për demaskim.
Dje muzeu i Dioqezës në Shkodër ka ekspozuar për publikun këto veshje, mes së cilave qendron dhe veshja autentike e Dom Simon Jubanit.
Vlera e këtyre veshjeve qëndron tek gjetja dhe ruajtja e tyre gjatë regjimit komunist, kur feja ishte e ndaluar.
Veshjet liturgjike, kanë një karakterizim të veçantë për historinë e popullit shqiptarë, në një vend që feja e dënua me ligj për 50 vite ndërkohë që këto veshje kujtojnë lidhjen që shqiptarët nuk e humbën asnjëherë besimin në Zot.
Falë objekteve kishtare, zbulimeve të ndryshme arkeologjike apo veprave të artit, Muzeut të Dioqezës i është shtuar ky seksion i posaçëm i cili do të ju përfshijë në një rrugëtim unik të prezencës së krishterimit në vendin tonë, ndërsa së shpejti, muzeu pritet të fitojë dhe akreditimin nga Ministria e Kulturës.


