Papa ‘’cool’’ me pallto të bardhë - fotografia virale që na mashtroi të gjithëve - NACIONALE

Papa ‘’cool’’ me pallto të bardhë - fotografia virale që na mashtroi të gjithëve

1 vit më parë

nga Rea Sefa

Papa i veshur me një pallto të madhe e të bardhë. A ka mundësi që Papa të jetë kaq ‘’cool’’?

Një foto që u bë virale gjithandej në internet. Një foto e montuar aq mirë, që arriti t’i mashtronte të gjithë.

Kjo foto u montua nga intelegjenca artificiale artistike (AI). Së pari u shpërnda në ‘’Reddit’’, e më pastaj u bë virale në ‘’Twitter’’- njofton the Guardian.

Diçka që nuk vërehej të ishte një fotoshop. Duart dukeshin normale dhe reale - nëse një foto do të montohej me ndonjë aplikacion, do të ishte detaji i parë që do t’a vinte në dukje mashtrimin. Por, si duket, aftësia e montimit të fotove nga ‘’AI’’ ka përparuar.

Deri tash janë bërë virale video qesharake të krijuara nga ‘’AI’’, si ato të Presidentit Biden dhe artistit Justin Bieber (dy ikona kulturore me rëndësi të njejtë), të cilat duken bindshëm të vërteta, por pa dyshim, dihej se nuk ishin, edhe pse të besuara nga një numër i madh njerëzish.

E vetmja gjë që ka mbetur të bëhet nga ‘’AI’’, është një video e Papës duke thënë ‘’ Qentë shkojnë në parajsë, e macet në ferr’’, dhe do të krijonte ‘’luftëra’’ të vërteta mes njerëzve, zënka shumë reale.

Gjeneratat më të vjetra kanë qenë gjithmonë preja më e madhe e këtyre mashtrimeve: fotove të montuara, komenteve ose çdo gjëje tjetër që dukej e besueshme në sy të parë, por, siç po shihet, erdhi dita që edhe ne të mashtrohemi shumë lehtë.

‘’Papa ‘’cool’’ me pallto të bardhë’’. Gjë që do të mbahet mend e diskutohet për një kohë të gjatë.

Lajme të ngjashme