Një copë ortodoksie në Dibër – Manastiri i Bigorit, tempulli i shqiptarëve ortodoksë
Në shekullin e 18-të kur Peja dhe Ohri u zhveshën me urdhër sulltani nga statusi i kryepeshkopatave, krishtërimi ortodoks shqiptar nuk e lëshoi poshtë flamurin shpirtëror. Si thesari më i bukur i Dibrës, Manastiri i Bigorit, kushtuar Shën Gjon Pagëzorit, sot e gjithë ditën është strehë për këdo. Edhe depresioni i Prishtinës së zgjyrtë tejkalohet për vetëm tre orë sa mban udha deri në luginën e Radikës në këmbë të Bistres e Deshatit. Siç ka qenë tradita mijëvjeçare e ortodoksisë, mejtimi në heshtje, lutja vetmitare mes malesh dhe përkushtimi ndaj Provanisë është ringjallje e vetes mes gërmadhave të dëshpërimit e pashpresës.
Col MEHMETI
Të marrësh një copë udhë drejt Dibre shpesh të sjell në mendje disa imazhe gjysmë të përfunduara.
Dikujt i përfytyrohet një mik nga Dibra, tjetrit një varg kënge a histori çfaredo me Dibrën, kurse dikujt i shkrepet një emër që vetëm e ka dëgjuar pahiri diku.
Por ka edhe një Dibër tjetër që të befason me visarin e saj më të madh kulturor e fetar, atë të cilin shqiptarë nga Kosova e Shqipëria kurrë nuk e kanë në mendje.
Manastiri i Shën Gjonit të Bigorit në krahinëzen e Rekës, pranë lumit Radikë, është një nga pasuritë më të tejkohshme në këto anë.
Aty ku rruga Gostivar-Kërçovë bën një shkëputje për t’u lakadredhuar kah perëndimi, zbulohen njëra pas tjetrës fshatrat e para të Rekës së Epërme.
Pak para ndalesës së parë te Hanet e Mavrovës para syve shfaqet liqeni i bukur me Leunovën e Niqiforën në brigjet përkundruall.
Shumica e fshatrave jetëshuara shqiptare bien nga krahu i djathtë e ndonjë në të majtë të udhës kryesore.
Është i pari Dufi, e pas tij vargisen Kiçinica, Vërbeni, Tërnica, Niqipuri e Volkovija.
Sa më fort rruga zgjatet e zgjatet në thellësi, nga grykat e larta, të larta gjer në marramendje, erëmon heshtja e një malësie që nuk trazohet aspak nga ato pak fshatra që ngjajnë si të vdekura e as nga veturat që disa shkojnë e disa vijnë prej Dibre.
Në atë vetmi malesh, jeta disi ngjallet vetëm kur duken si grumbull shtëpish një grusht fshatrash në faqet e gjelbëruara të bjeshkëve të Deshatit e Kërqinit.
Në të djathtë tabela e verdhë bën me shenjë rrugën e ngushtë për në Zhirovnicë, kurse në të majtë për në Vidushë e Boletin.
Nga larg, të mbledhura kruspull në prehër të bjeshkëve, kuqëlojnë kulmet e Trebishtit, Velebërdes e Rostushes.
Duket disi si një fakt i pabesueshëm që njëherë e një kohe fshatra si Trebishti e Rostusha ishin veçse zotërime të Kastriotëve. Pushteti i kësaj dere fisnike shtrihej edhe në këto anë.
Në shenjë përshpirtshmërie, babai i Skënderbeut, Gjoni, me 1426 i dhuroi pikërisht këto dy fshatra për manastirin atonit të Hilandarit.
“Unë mëkatari dhe i pamerituari…Gjon Kastrioti me bijtë e mi Stanishin dhe Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin…pasi u këshillova… i dhuruam manastirit të shenjtë sipas fuqisë sonë…fshatin Radostushë me kishën e Shën Mërisë së Papërlyer si dhe fshatin Trebisht”, shkruhet veç të tjerash në aktdhurimin e Gjonit që ruhet në arkivat e manastirit atonit.
Por këto histori të bukura e të harruara të fisnikërisë arbërore janë vetëm si ato diçiturat përshkruese në xhamin muzeal të një artefakti.
Përjetimi këtu e mbulon me hijen e vet mendimin.
Po njësoj edhe ngreha e bukur e manastirit të Shën Gjon Pagëzorit të fton me kambanoret e tij për të hyrë brenda mureve të tij që lartohen me njëfarë krenarie kështjellore.
I strofulluar në faqet e Bistrës, manastiri paraqet një grumbull impozant konaqesh e shtëpish të ndërtuara me gurë bigori.
Që nga shekulli i 16-të, kisha e Shën Gjon Pagëzorit e fitoi llagapin Bigori shi për shkak të gurit karakteristik të këtyre anëve. Është fjala për bigorin, një lloj guri gëlqeror, vrima-vrima, i cili është përdorur shpesh prej muratorëve dibranë.
Kompleksi brendapërbrenda është shembull i një jete të hijshme komunitare .
Manastiri i Shën Gjon Pagëzorit ka një vëllazëri prej plot tridhjetë priftërinjsh ortodoksë me kryemurgun Parthen.
Kalldrëmi në rruginën kryesore dhe në ato të sipërmet është i mbajtur pastër me pemë e lule të kullandrisura nga një dorë kujdestare që u rri gati.
Ajri i bilurtë i malësisë i jep një pamje të qeshur oborrit gjelbërosh ashtu sikurse edhe eksterierit të gurtë të kishës dhe ngrehave përcjellëse.
Dikur profesori nga Galiçniku, Riga Ognjanoviq-Lonoski pyeste nëse më i bukur është manastiri i Shën Gjonit në Bigor apo ai i Deçanit në Kosovë.
Përgjigjet jepen ndryshe sot e ndryshe nesër, por krijimet e bukura e artisticiteti arkitektonik nuk e kanë të nevojshme të hierarkizohen sikur të ishin në një garë mundje. Secila ngrehë e ka shpirtin e vet që e lartoi dhe e popullon me veçanti.
Në narteksin e jashtëm me dritare të harkuara që shikojnë nga majamalet e Deshatit dhe Kërqinit, në anën e kundërt në mur vargiset një radhor pikturash murale me shenjtorë ortodoksë.
Është e pamundur që të mos ndalosh për pak çaste te afreska e Shën Gjon Vladimirit të Elbasanit.
Veneracioni për të bënte që shqiptarë ortodoksë nga Dibra të pelegrinonin në Elbasan ose ta përjetësonin një copë Elbasan edhe këtu midis Dibre.
Duke ecur këmbëlehtë mespërmes narteksit të brendshëm, naosi i kishës të tërheq drejt vetes me afreskat e pasura, llambadarin e madh, ikonat, reliket e shenjtorëve dhe ikonostasin e bukurpunuar me dru arre nga gdhendës për të cilët Dibra gëzonte nam kudo.
Me atë erëmimin e mirë të temjanit e fragrancave të tjera, ndjesia brenda kishës është ajo e një shkëputje të plotë nga e botshmja dhe e jashtmja.
Në atë gjysmëndriçimin e lehtë që vjen nga e djathta, sytë të kapin gjithfarë motivesh nga Dhjata e Vjetër dhe e Re.
Mijëra figurinat e drunjta e bëjnë kaq të gjallë botën biblike duke sublimuar artistikisht mesazhe përvujtnie e përkushtimi shpirtëror.
Nga kupola drejt e në altar derdhet një heshtje si pushtet paqësor i Gjon Pagëzorit, Jezusit, Marisë e një miriade shenjtorësh.
Është jehu i një heshtje të plotë e qetësuese ku koha thjesht është çkohësuar dhe hapësira është çhapësuar. Është një ndjesi si atëherë kur na bëhet një lëmsh te fyti si për një faj të tejlargët stërgjyshor.
Këto prekje si të trishta e si përvajshme të mundësojnë një paqtim të vetes, dëlirje e afrim me diçka që e ndjen si më të lartësuar e mbi veten.
Mes asaj heshtje vijnë papërcaktueshëm mejtime dhe vetja sikur urëzohet me diçka më të lartë, më provanike.
Ajo vetja jote e çakërdisur sakaq merr një shkulm fuqie siç sjell gjithmonë pajisja me një qëllim jetësor.
Përhumbja, angështia e dëshpërimet e përditshme ngjajnë si ëndrra të pakuptimta përballë një bote të re që duket aq e kapshme.
Shumë kohë para se të ndërtohej kisha në këtë vend, pak më sipër, në shpatijet e Bistrës me sa duket kishte qenë një guvë, vetmitore, ku asketë e oshënarë tërhiqeshin nga bota dhe heshtazi zhyteshin në përshpirtmëri e përkushtim ndaj Perëndisë.
Dhe këto përjetime duhet t’i kenë pasur me qindra e qindra murgjër asketë që u bënë shërbestarë të qëllimit epëror.
Në këso vramendje për vetminë mejtuese kuptimësohen edhe më shumë vargjet e një poeme të Grigor Teologut: “A e do më fort veprimin a mejtimin? Mejtimi është puna e të përsosurit, veprimi u takon të shumtëve. Që të dy janë të mirë e të dobishëm, zgjidh atë që të shkon për shtat…”
Si katholikon njëkupolësh e me një nef (korridor), kisha kryesore zë vendin kryesor në oborrin manastiror.
I ndërtuar në vitet e mbrama të shekullit të 18-të dhe i zgjeruar me shtojca të reja në dekadat e para të shekullit të 19-të, historia e këtij manastiri kthehet pas disa shekuj më herët.
Megjithëse një dorëshkrim i ruajtur aty ngre mëtimin e pathemeltë se kisha qenka ndërtuar më 1020, ekzistenca e saj mund të qëmtohet dokumentarisht vetëm nga shekulli i 16-të e tutje (në një tekst mbamendësor përmendet si Мона Бигор̑).
I braktisur në kohë të sulltan Selimit I (1512-1520), ky vend thuajse e kishte humbur gjithë dinjitetësinë e vet si strehë fetare.
Ortodoksia e këtyre anëve u duk posi një flamur i bërë zhele në një betejë të humbur kaherë.
Krishtërimi shqiptar nga Peja e deri në jug ishte në rënie të theqaftë. Pasiguria e përgjithshme e jetës e katandisi fenë në një minimalizëm ritualistik me gjithnjë e më pak përshpirtmëri.
Nga viti në vit, praktika e gjallë e fesë po mpakej e po i ngjante një tradite që kuptimësohej vetëm si kujtim për brezat e mëparshëm e zakonet e tyre.
Ndonëse Peja e Ohri do të zhvisheshin me firman sulltani nga dinjitetësia e tyre si kryepeshkopata, mikrokozmoset e ortodoksisë shqiptare nuk u përlanë nga këto stihi të jashtme.
Midis Dibre, shkëndija e parë e ringjalljes së manastirit të Bigorit farfuriti më 1743 nga njëfarë jeromonaku vendës me emrin Hilarion.
Krishtërimi lokal nga gërmadhat e shkujdesit u gjallërua dhe shpresa nuk dukej më e humbur. Hilarionin e pasoi arkimandriti Trifil.
Se kjo ringjallje e shpresës e përshkoi krejt Dibrën andej e këndej Korabit flet fakti që në manastirin e Bigorit shërbeu edhe një kryemurg nga fshati i Maqellarës.
Ai u njoh në të gjallë si Haxhi Tarasia (Хаџи Тарасіа ѡт Макелари sipas një teksti të vitit 1840).
Si drejtuesi i tretë i manastirit, emri i këtij njeriu të përvuajtur të fesë u përjetësua edhe në një pllakë me shqiponjë dykrerëshe e cila ruhet edhe sot në ngrehën kryesore (Иеромонахъ хаџи Тарасіе).

Pas vdekjes së murgut shqiptar, ai u zëvendësua prej igumenit Mitrofan (1796-1807), kohë gjatë të cilës u ndërtua kisha e sotme mbi rrënojat e një tjetre më të moçme.
Se manastiri i Bigorit ishte tempulli kryesor i shqiptarëve ortodoksë nga Dibra dëshmohet edhe nga një letër që kryemurgu Arsen i shkruante njëfarë prifti me emrin Kostandin nga Maqellara.
Qysh në atë kohë manastiri quhej si i Gjon Pagëzorit siç dhe shihet nga mbishkrimi në vulën me të cilën është nënshkruar letra në fjalë (†сти Іѡаннѕ Предтечи† Ιωανις Προδρομος αψνε).
Kështu nga Bigori lëshohej thirrja që të gjithë “shpirtrat e krishterë, i madh e i vogël” të mblidheshin në manastir për hir të Ditës së Shën Gjonit (Teksti original i letrës: “Вы чините захмет, кои мобитъ монастиротъ и стагѡ Іѡана, да повелате да доидите на гости и да празноваме празникъ стомꙋ Іѡаннꙋ, вие що сте хрістіанска дꙋша во село Макелари, великій и мали...”)
Kodeksi i manastirit, që mbulon gjysmën e parë të shekullit të 19-të, ruan emrat e plot e përplot vizitorëve dhe dhuruesve nga fshatrat rrotull që ishin dhe janë edhe sot me popullatë shqiptare. /Nacionale/