Ndryshimet klimatike: Raporti i IPCC paralajmëron për pasojat ‘e pakthyeshme’ të ngrohjes globale
Sipas vlerësimeve të fundit të OKB-së, shumica e pasojave të ngrohjes globale janë ‘të pakthyeshme’. Megjithatë, autorët e një raporti të ri thonë se ekziston ende një afat të shkurtër kohor për të shmangur më të keqen.
Paneli Ndërqeveritar për Ndryshime Klimatike thotë se njerëzit dhe natyra po shtyhen përtej aftësive të tyre për t'u përshtatur. Mbi 40% e popullsisë së botës janë "shumë të ndieshëm" ndaj klimës, zbulon studimi.
Por nëse rritja e temperaturave mbahet nën 1.5 °C, kjo do të reduktonte humbjet e parashikuara.
Katër muaj pas mbledhjes së liderëve botërorë në lidhje me angazhimin për veprim të shpejtë ndaj ndryshimeve klimatike, u tha:
"Raporti ynë tregon qartë se vendet ku njerëzit jetojnë dhe punojnë mund të ‘pushojnë së ekzistuari’, ngase ekosistemet dhe speciet me të cilat jemi rritur dhe janë fundamentale për kulturat tona, mund të zhduken", tha profesor Debra Roberts, bashkëkryetar i IPCC-së.
"Pra, ky është me të vërtetë një moment kyç. Raporti ynë thekson shumë qartë se kjo është dekada e veprimit, nëse duam t'i kthejmë gjërat në anën tjetër."
Ky raport nga IPCC është i dyti nga tri rishikimet kryera nga grupi më i rëndësishëm në botë i studiuesve të klimës. Gushtin e kaluar, pjesa e parë e raportit nxori në pah shkallën e efektit që njerëzit kishin në sistemin klimatik. Ky raport i ri shqyrton shkaqet, ndikimet dhe zgjidhjet në lidhje me ndryshimet klimatike. Ai jep treguesin më të qartë deri më sot se si një botë më e ngrohtë po prek të gjitha gjallesat në Tokë.
"Një nga gjërat që unë mendoj se është vërtet, vërtet e qartë në raport, është se po, gjërat janë duke shkuar keq, por në fakt, e ardhmja varet nga ne, jo nga klima", tha dr. Helen Adams, një nga autorët kryesorë në raportin nga King's College, Londër.
Raporti tregon se ngjarjet ekstreme të motit të lidhura me ndryshimet klimatike, si përmbytjet dhe valët e të nxehtit, po i godasin njerëzit dhe speciet e tjera shumë më rëndë sesa treguan vlerësimet e mëparshme.
Studimi i ri thotë se këto ndikime tashmë po shkojnë përtej aftësisë së shumë njerëzve për t’i përballuar. Të gjithë janë të prekur, por disa po goditen shumë më rëndë. Ky rezultat varet shumë nga vendi ku jetoni.
Midis 2010 dhe 2020, 15 herë më shumë njerëz vdiqën nga përmbytjet, thatësirat dhe stuhitë në rajone shumë të cenueshme, duke përfshirë pjesë të Afrikës, Azisë Jugore dhe Amerikës Qendrore dhe Jugore, sesa në pjesë të tjera të botës.
Natyra tashmë po sheh ndikime dramatike në nivelin aktual të ngrohjes. Shkëmbinjtë koralorë po ‘shpërbëhen’ si pasojë e temperaturave në rritje, ndërkohë që shumë pemë po i nënshtrohen thatësisë.
Pasojat në shëndetin e njeriut
Ka të ngjarë që sëmundjet të përhapen më shpejt në dekadat e ardhshme, thonë autorët e studimit. Ekziston një rrezik i veçantë që ndryshimi i kushteve klimatike do të lehtësojë përhapjen e etheve të shkaktuara nga mushkonjat.
Ky raport, për herë të parë, thekson se ndryshimi i klimës mund të përkeqësojë çështjet e shëndetit mendor, duke përfshirë stresin dhe traumat që lidhen me ngjarjet ekstreme të motit.
Kërcënimet që ngrohja u kanos specieve të tjera
Rreth gjysma e organizmave të gjallë të vlerësuar në raport, tashmë po ‘shpërngulen’ drejt poleve. Ndërsa deri në 14% e specieve të vlerësuara ka të ngjarë të përballen me një rrezik shumë të lartë zhdukjeje nëse bota vazhdon me këtë tempo të ngrohjes.
Kjo do të rritet deri në 29% të specieve në temperaturën 3 °C më tepër të ngrohjes globale. Për krijesat që jetojnë në zonat që klasifikohen si pika të nxehta të cenueshme të biodiversitetit, rreziku i tyre tashmë shumë i lartë i zhdukjes pritet të dyfishohet ndërsa ngrohja rritet për 2 °C dhe të rritet dhjetëfish nëse bota shkon për 3 °C më tepër.
- Disa studiues kanë spekuluar se kalimi mbi 1.5 °C për një periudhë të shkurtër do të ishte i pranueshëm, nëse temperaturat do të uleshin nën nivelin mesatar menjëherë pas kësaj. Ky raport thotë se ka rreziqe me këtë qasje.
"Në çdo tejkalim ka një rrezik në rritje për të goditur pikat e kthesës dhe për të shkaktuar katastrofa në sistemin klimatik, të tilla si shkrirja e ngricave të përhershme," tha Linda Schneider nga Instituti Heinrich Boll, e cila ishte një vëzhguese në diskutimet e IPCC.
"Kjo do ta bënte shumë më të vështirë, aq sa mund ta bënte të pamundur kthimin nën 1.5 °C."