Ndarja më toksike e mundshme: Johnny Depp dhe Amber Heard në luftë gjyqësore, çka po ndodhë?
Një proces gjyqësor sensacional ku janë përfshirë Johnny Depp dhe ish-gruaja e tij, Amber Heard, filloi më 12 prill.
Gjyqi ka të bëjë me një padi të cilën Depp e ngriti kundër Heard në vitin 2019 rreth një op/edi që ajo shkroi rreth abuzimit nga burri i saj në vitin 2018. Depp thotë se artikulli në mënyrë të pandreqshme ia dëmtoi karrierën.
Pas 13 ditëve të grumbullimit të deklaratave, ekipi ligjor i Depp prezantoi rastin më 3 maj dhe Heard dëshmoi për herë të parë më 4 maj.
Gjykimi, i cili pritet të zgjasë gjashtë javë, tashmë ka trajtuar çdo element nga mesazhet me përmbajtje të dhunshme që u dërguan nga Depp, tek audio inçizimet e debateve mes tyre. Kjo është padia e dytë për abuzim rreth marrëdhënies së Depp dhe Heard, pas një procesi gjyqësor në Britaninë e Madhe në vitin 2020.
Derisa gjykimi po vazhdon në javën e katërt, ja çka duhet të dimë.
Pse Johnny Depp po e paditë Amber Heard?

Depp paditi për një shumë dëmshpërblimi prej 50 milionë dollarëve Heard, në mars të vitit 2019, pasi ajo publikoi një op/ed në ‘Washington Post’ dhjetorin e mëhershëm. Në artikull, Heard diskutoi rreth trajtimit të grave në rastet e dhunës seksuale dhe iu referua vetes si "figurë publike që përfaqëson dhunën familjare", por nuk përmendi emrin e Depp. Ky i fundit thotë se është shkarkuar nga Disney për filmin "Pirates of the Caribbean", disa ditë pasi u publikua artikulli dhe thotë se ky op/ed ia ka dëmtuar karrierën. Sidoqoftë, karriera e Depp tashmë ishte e lëkundur masivisht pas ndarjes publike të çiftit dhe akuzave për abuzime ndaj njëri-tjetrit.
Pse Amber Heard po e paditë Johnny Depp?
Avokatët e Heard u munduan të hedhin poshtë padinë e Depp për prishje të imazhit publik, pasi ai humbi rastin e Mbretërisë së Bashkuar, por një gjykatës e refuzoi duke nënvizuar ligjet e ndryshme sa i përket prishjes së imazhit publik në Britani dhe ShBA. Heard pastaj ngriti një padi duke kërkuar dëmshpërblim 100 milionësh kundër Depp, duke thënë se ai ia prishi imazhin asaj kur ekipi i tij ligjor iu drejtua komenteve të Heard si "të rreme" dhe "mashtrim për dhunë seksuale".
Për shkak se op/edi u publikua në ‘Washington Post’, gjykimi po mbahet në Ferfaks të Virgjinias, ku printohet gazeta.
Çka shkroi Heard në op/edin e ‘Washington Post’?
Në dhjetor të vitit 2018, Heard publikoi një op/ed në ‘Washington Post’ me titullin "kam folur kundër dhunës seksuale - dhe u përballa me mërinë e kulturës sonë. Kjo duhet të ndryshojë".
Në artikull, ajo foli për kritikat publike që ajo kishte parë pasi "u bë figurë publike që përfaqëson dhunën familjare" në vitin 2016, pastaj avokoi për më shumë mbështetje për viktimat e dhunës familjare.
Edhe pse Heard nuk përmendi Deppin me emër, periudha kohore për të cilën ajo foli në artikull lidhej me kohën e divorcit të çiftit dy vite më parë, në vitin 2016.
Marrëdhënia e Depp dhe Heard
Depp u takua me Heard në vitin 2009, në xhirimet e filmit "The Rum Diary". Gjatë seancës dëgjimore në Ferfaks, Depp e përshkroi momentin e parë kur ndjeu afeksion për Heard, derisa dyshja po filmonte një skenë ku duhej të putheshin në dush.
Dyshja u takuan përsëri dy vite më vonë për ta promovuar filmin, por filluan të takohen vetëm kur Depp u nda nga partnerja Vanessa Paradis, me të cilën ai ka dy fëmijë. Depp dhe Heard u martuan në vitin 2015.
Pse po e përkrahin Depp kaq shumë njerëz në internet?

Përkrahja e madhe në internet për Depp ka qenë një prej çudive më të mëdha të këtij rasti. Në Reddit, Tëitter, TikTok, njerëzit zëshëm po shprehin mbështetjen për Depp dhe sigurinë se Heard është gënjeshtare.
“Pse duket se I gjithë interneti është në ekipin e Johnny Depp?”, pyeti ‘Vice’, duke cituar meme ku paraqitet Heard si gënjeshtare.
“Kur lexoni postimet, mendoni se Heard po paditet për krime të rënda kundër Depp, dhe jo për një kolumnë gazete”, thotë revista ‘Mel’.