Mbijetesa e shkrimtarëve kosovarë, Selmani: “Çdo pasion dhe mënyrë e të qenit, kërkon sakrificë dhe heroizëm” - NACIONALE

Mbijetesa e shkrimtarëve kosovarë, Selmani: “Çdo pasion dhe mënyrë e të qenit, kërkon sakrificë dhe heroizëm”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

A mund të lexojmë pa pasur libra?

Çfarë është një libër pa shkrimtarë?

Çfarë është letërsia pa mendimet e atyre shkrimtarëve?

T’u jepet përgjigje këtyre pyetjeve, është qëllimi i këtij artikulli. Kjo duke pasur parasysh se letërsia nuk paguhet, e shkrimtarët kosovarë duhet të jetojnë disi. Ata duhet të gjejnë një punë të dytë që të mbijetojnë. A paraqet kjo rrezik për frymëzimin e tyre? Në anën tjetër, a paraqet rrezik që luksi ta dëmtojë shkrimtarin?

Për Nacionalen është përgjigjur Shpëtim Selmani, fitues i Çmimit të BE-së për Letërsi.

Letërsia nuk paguhet, shkrimtarët kosovarë duhet të jetojnë. A duhet të gjejni punë dytësore, që të mbijetoni?

Natyrisht. Punë dytësore e tretësore. Sado që mbijetesa është koncept fatkeqësisht i ashpër sot është evidente dhe e pashmangshme. Shpesh ndihem i turpëruar që shkruaj. Por ky turp është esencial, përtej pagesave. Nuk e kam parë kurrë letërsinë si një mjet për t’u bërë i pasur. Vazhdimisht merrem me teatër, luaj dhe shkruaj pjesë për teatër. Teatri dhe Letërsia, përmes tyre përpiqem të mbes gjallë.

A paraqet kjo rrezik për frymëzimin tuaj?

Frymëzimi ka rrugën drejt presë së vet, është një rrugë shpesh e pakuptueshme, e mistershme. Nuk ka rreziqe. Ka nerva. Dhe energji. Çdo pasion dhe mënyrë e të qenit, kërkon sakrificë dhe heroizëm. Jeta është një shumësi kundërthëniesh brenda nesh, një dialog i pambarimtë me tjetrin brenda nesh. Mua kjo më intereson. Nesër për çka do ta kundërshtoj veten? Për çfarë nuk kisha të drejtë dje?

A ka rrezik që luksi ta dëmtojë shkrimtarin?

Nuk e di. E gjitha varet nga natyra e një shkrimtari dhe nga e vërteta e preokupimeve të tij. Unë nuk kam pasur kurrë luks. Në vitin e kaluar, qëndrova në një kështjellë, në Lavigny. Një fshat zvicerran. Isha pjesë e një programi për shkrimtarë që vinin nga e gjithë bota. Në secilin muaj nga pesë deri në gjashtë shkrimtarë. Disa nobelistë kishin qëndruar aty në vitet e 90-ta. Vërtet ishte kënaqësi. Ishte si një ëndërr. Me dhoma të ndryshme pune. Pamje nga Liqeni i Lemanit. Një fshat i zhytur në prodhimin e verës. Natyrisht ishte e vështirë për mua të shkruaja. Kur shihja njërin nga miqtë e mi, se si ulërinte i tërbuar kundër kositjes së barit. Ishte kundër shkatërrimit të ekosistemit. Por kjo nuk do të thotë që shkrimtarët që kanë jetuar me luks, janë dëmtuar. Asgjë e jashtme nuk rrezikon insinktin e një shkrimtari të mirë.

Selmani, me librin prozaik Libërthi i dashurisë, është shpallur fitues në edicionin e dymbëdhjetë të Çmimit të BE-së për Letërsi (EUPL), në të cilin konkurrim Kosova ka marrë pjesë për herë të parë bashkë me 13 shtetet pjesëmarrëse (Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Danimarka, Estonia, Gjermania, Kosova, Kroacia, Luksemburgu, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Qiproja dhe Spanja).

Shpetim, ju si fitues i çmimit të BE-së për letërsi, çfarë u mungon ngjarjeve tona letrare që i kanë vendet e tjera?

Nuk e shoh veten tepër autoritativ për të krahasuar ngjarjet letrare në mes nesh dhe vendeve të tjera. Por hajde ta themi, tek ne mungon ngjarja letrare brenda nesh. Ne nuk posedojmë letërsi. Shih gjithë kaosin në trafik, mënyrën se si komunikojnë njerëzit, televizionet tona, skenën politike, kujdesin për atë që është e jona, ndjenjën për komunitetin. Ne duhet para së gjithash ta kultivojmë letërsinë brenda nesh.

Kur jemi te çmimet letrare, sa e përkëdhelin sedrën e një shkrimtari, sidomos çmimet ndërkombëtare?

Përsëri varet nga karakteri i një shkrimtari. Shkrimtarët para së gjithash janë njerëz. Kanë mangësi. Dhe kanë budallallëk sa të duash, rrjedhimisht kanë mendjemadhësi.

E di se shumë shkrimtarë të mirë, nuk kanë marrë çmimet që i kanë merituar. Ata që përfitojnë nga çmime të tilla apo përkëdhelen, e marrin veten e tyre në qafë, megjithëse te shoqëritë si kjo e jona, traumatike siç është, fatkeqësisht, shoh se është e nevojshme që kohë pas kohe të rrahësh gjoks ngase njerëzit kanë humbur më sentimentin për të gjykuar dhe vlerësuar atë që është e drejtë. Nuk them se shkrimtari duhet ta kërkojë lavdinë e tij, lavdia e tij është puna. Por them se një shkrimtar i mirë sot në këtë kohë duhet ta mbrojë me nder dinjitetin e vet dhe duhet të përpiqet që të mos bëhet pis nga të tjerët. Kjo kërkon mjeshtëri dhe forcë. Urtësi dhe gatishmëri për t’ia treguar vendin tjetrit, që kakariset si gjel. Sot është koha kur secili pretendon se arti i tij është eternal. Ku secili flet me siguri e bindje të madhe për veprën e tij. Kohë e reklamës për veten. E një vetëvlerësimi të gërditshëm. Prandaj kërkohet disiplinë dhe pak modesti. Në këtë kohë, dëng me gjenial.

A e kanë zbehur mjetet e komunikimit elektronik letrën, dikur aq të pritur?

Po sot secili ka postën e vet në telefon. Nuk ka më nevojë për letra. Për atë fizike. Kohërat ndryshojnë, mjetet ndryshojnë, qëllimet ndryshojnë. Ajo që nuk ndryshon është pritja. Ne sot zbehemi e dridhemi nga pritje tjera moderne, që na japin ankth, stres dhe agresivitet. Prandaj këkojmë të kthehemi tek ajo që ishte më afër nesh. Tek ajo që kemi braktisur duke kërkuar dicka më të mirë. Ne sot paguajmë për ambiciet tona.

Çfarë i mungon sot letersisë shqipe?

Lexuesit.

Shpëtim Selmani shkruan prozë dhe poezi. Ai botoi librin Shënimet e një Grindaveci në vitin 2015 dhe një përmbledhje poetike Poezi të zgjedhura 2010-2017Poezia në kohë gjaku dhe dëshpërimi (Multimedia, Prishtinë) në vitin 2017.

Lajme të ngjashme