Brenda vjetërsisë në librarinë e Kaçanikut, në kërkim të lexuesit që s'vjen
Feja e mësimtarit – pa dyshim – është leximi; libraria tempulli.
Pas turit në hotelin e së shkuarës, më bie ndërmend edhe diçka shumë më e shkuar në Kaçanik; leximi dhe libri. Pasi jam shkëputur edhe unë që kohë nga vendi, ia mësyej librarisë publike në Shtëpinë e Kulturës; ku punon Azimi qe 38 vite; bibliotekisti ikonik i qytetit.
Futem brenda edhe e përshëndes, por Azimi s’e bën të njëjtën. Gati 4 dekada është i zoti i këtij oborri të dijes dhe di gjithçka që ka ndodhur brenda këtyre mureve që mbajnë librat e qytetit; dhe ai s’e ka harruar që unë kam huazuar libra dhe s’i kam kthyer.
“Prit pak...ti”, më thotë dhe niset drejt sirtarit me regjistra të vjetra që pluhuri ua ka shtruar edhe një shtresë të re thuajse si mbikopertinë. “Tri libra s’i ke kthy prej 2016’ës...’Mbi Natyrën’ të Heraklitit, ‘Poetikën’ e Aristotelit dhe një të Zhan Zhak Rusoit, anglisht...”.
E siguroj që do e kompenzoj këtë pabesi time.
Ulem dhe shkarkoj pyetje ndaj Azimit për thuajse gjithçka që më kap syri në zyrën e tij dhe librarinë; teksa ai nis të më shpjegojë se si funksionon klasifikimi i librave me numra serikë, alfabetikë dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me strukturimin – për mua tmerrësisht rigjid – e librarisë.
Para meje e vendos një libër të madh e të rëndë, të shkruar me daktilograf, e që më thotë “unë e kam porosit k’ta, atyneherë, prej Shqipnie”.




“Tabela e Klasifikimit: dhjetor universal (K.D.U)”, i shkruan titulli dhe përbrenda përmban pafundësi hollësisht sistemimi për libraritë dhe veprat prej të gjitha lëmive: shkencave ekzakte, shkencave filozofike, filologjike etj...
Numrat që derdhen në ato faqe për mua përbëjnë terren krejtësisht të panjohur teksa ai vazhdon të më shpjegojë edhe sistemet angleze dhe gjermane dhe si dallojnë ata nga ato të shqipes...
“Lëmi e rëndë për mua kjo...por, sa tituj i numëron libraria?”, i them, duke e shënjezuar se s’e kuptoj këtë klasifkim thuajse hieroglifik për një mendje të patrajnuar si e imja në këso punë.
“Eh, prit”, më thotë Azimi dhe i nxjerr edhe dy libra të tjerë gjigantë.
“11 mijë e kusur për fëmijë...15 mijë e kusur për të rritur...diku 26 mijë e sa total”.
“26 mijë? S’ma morri mendja”, i them.
“Po, qito dy-tri vitet e fundit na kanë furnizu mirë, por qito dy vitet e fundit janë kanë keq, lexues s’po ka”.

Bibliotekisti m’i jep çelësat e librarisë. Qysh në trakën e parë has në letërsi. “Letërsi serbe, tregime”, “Letërsi kroate, tregime”, “Letërsi sllovake, tregime”, “Letërsi maqedone, tregime”.







Të githa të stërvjetra dhe me vulë “Komuna e Kaçanikut, Biblioteka Publike” por në cirilliqë në rend të parë, më pastaj në shqip.

Por, në asnjë mënyrë kjo nuk përbën tërësinë, por mbase renditja do të duhej të kishte qenë më e mirë. Ngase në rendin e parë has menjëherë në Marksizëm-Leninizëm ku Engellsi e Lennini zotërojnë raftin duke të krijuar përshtypjen e parë të përmbajtjes së kësaj librarie.
“V.I. Lenin: Mbi Luftën, Ushtrinë dhe Mbrojtjes – Vëllimi I”, qëndron aty në raft. E hap dhe ia shoh letëregjistrimin brenda: Asnjë lexues i nënshkruar. Gëzohem pak pas mosgëzimit se pse do të duhej të ishte aty në rend të parë. Por, me moslexim të sja, them mes vete: Mbrojtje e mirë ndaj Leninin është mosleximi i tij.

Në rendin tjetër janë klasikët rusë: prej Pushkinit, Dostojevskit, Turgenevit, Tollstoj etj.
Çka më vjen për së tepërmi interesant është stoku i madh dhe i lidhur i gazetave prej 1970 të Rilindjes, e deri te publikimet në vitin 2015. Sot, në Kosovë s’ka asnjë gazetë të shtypur më.

Nis e lexoj për takimet e “Mareshalit” në të 70’at e se si Mareshali dhe Fidel Castro vizituan këtë dhe atë vend.
“Tito dhe Kastro shkuan me vetura të hapura deri në liman, ku hipën në anijen ‘Podgorka’”, tregonte artikulli i Rilindjes që raportonte me fjalët e Tanjug-ut serb.

Janë aq të vjetra, sa që duke e shfletura duket që faqet nuk do të shqyheshin, por të theheshin nga drunjëzimi i fletëve.
Azimi më ndërpren dhe tregon krenueshëm që për nga librat e Mjekësisë qëndrojnë më së miri: botime voluminoze dhe luksoze dhe të gjitha të reja.


Megjithatë, në moshë dhe me problem në të ecur – por edhe i mbetur i vetëm në vend të punës – Azemi më lë vetëm të shëtis në rafte që mbajnë erë vjetërsie dhe libra që kur i hap të japin një frymë pluhur fytyrës. Shumica e tyre, mbajnë një karton regjistrimi brenda. Nga kartoni vërej që s’i ka lexuar askush asnjëherë duke mos qenë shënuar as një emër në to.

Librat rrinë të vetmuar, pa pasur rastin t’i komunikojnë lexuesve të veten.
Paramendoj në vete, Franz Kafka aty në raft me Walter Benjamin-in, çka do t’i thonin njëri tjetrit – nëse fletët do të kishin gojë – në këtë librari të burgosur, pa dalë kurrë jashtë, nëpër duart e dikujt që i merr me vete në shtëpi?

Largohem, duke shpresuar që lexuesi të mos jetë larguar përgjithmonë nga Kaçaniku.
