Turist i së ardhmes në hotelin e së kaluarës...në Kaçanik - NACIONALE

Turist i së ardhmes në hotelin e së kaluarës...në Kaçanik

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Nëse udhëtimi në kohë është i mundshëm, ku janë turistët e së ardhmes?”.

Është kjo njëra nga pyetjet e fizikanit teorist dhe kozmologut të madh Stephen Hawking, që po aq sa është dekarujuese për mua, është edhe argëtuese. Po më kumbonte brenda kafkës teksa po kthehesha në Kaçanik, siç kthehem pas çdo pesë dite pune me autobus nga Prishtina.

Me të zbritur në stacionin e autobusëve është Kalaja e Kaçanikut e ngritur para rreth 440 viteve; e përbrenda e në mes të asaj fortifikate qëndron edhe një ndërtesë krejtësisht e vetmuar: një hotel/motel dikur me nam dhe qendror në jetën e qytetit, sot krejtësisht i përhumbur brenda vetes.

Ka me dhjetëra vite që s’kam hyrë brenda, kur mbase si fëmijë në shkollë fillore me shokë të klasës e të lagjes shkonim për të luajtur ndoçka – fshehtas mbase; në motelin e fshehur nga qyteti; edhe atëherë rrënojë dhe i dezertuar, por plot gjallëri zërash dhe ngarendmesh.

E sot, si “turist i së ardhmes” vendosa të futem në vendin e turizmit të së kaluarës.

S’ka punu prej 94’ës kjo, jo”, më thotë një i moshuar që e takoj përbrenda Kalasë, e që punon në një kabinë ku kontrollon veturat që parkohen dhe ua vendos tiketën e kohës. Ulem me të në kabinën e vogël të tij, ia ofroj një cigare por e refuzon se “e pi veç kaçak unë, s’e n’rroj qe sa”.

T’i e mban mend k’ta, motelin, kur ka punu...”, e pyes konstatueshëm.

Po, qysh s’e maj mend...saherë kam krroçë unë këtu...haha”, ma kthen dhe ia ndal zërin një televizioni të vogël ku po dëgjonte një debat mbi luftën që po ngjan në Izrael.

Vishin kang’tare p’ej Prishtine, i nishmi në Bob, n’kope t’qillës...u kan me nam n’at kohë ky ven’...edhe Bexhet Pacolli ka pas punu kamarjer e kuzhinier, veç t’rrej s’e di sakt...njani bile kallxojke që e ka pas pa Brrus Pancerin”.

Një nga miqtë e mi të qytetit, që për nga kaçanikdashësia s’e ka të shoqin, Irfan Beça, më tregonte fotografi – për fotografi, tregime dhe kujtesë Irfani është arkivë prej njeriu – të motelit qysh në kohërat kur kishte nisur ndërtimi i tij; diku mbase kah fundi i viteve të 60’ta.

Janë unike k’to fotografi, nuk i ka kurrëkush”, më thotë Irfani dhe theksin e vendos në atë se në nisjen e ndërtimit disa herë janë ndaluar punimet ngase “ka pasur shumë artifakte” përbenda Kalasë. “Me kamiona kishin ‘pas bajt gurë e sende me vlerë”.

Fotografitë, më shpjegon Irfani, “i ka shkrepë Aga Axhib”, tash i ndjerë, fotografi dhe njeriu më i çmuar në vend për dokumentimin e jetës në vend përmes fotoaparatit të tij; e prej të vetmëve që është kujdesur të objektifikojë kujtesën e Kaçanikut. S’ka njeri në vend që nuk stërmbushet me respekt dhe admirim saherë që emri i Agës Axhib përmendet.

Shëtis përbrenda motelit, gjithçka e rrënuar, gërmadhë e vdekur, bërllok, mure të thyera, kabllot e rrjepura me bakrin që u është nxjerrë, dritare të thyera, kutërbim, gjendje monstruoze. Por, gjurmët e jetesës së dikurshme shihen; prej një pjese të mbetur të interierit.

I moshuari – që fatkeqësisht s’e pyeta për emrin – më kabinë më thotë që “unë e di që d’ej 94’ën ka punu, se e di që e pat’ marrë Sharri...punojsha në Sharr unë dej 92’ën aty jam kanë...masanej m’patën qitë për tepricë teknologjike...e kur patën hy masat e dhunshme...”.

Vishin motorrista t’huj, grumëll u bajke, p’ej tana anve...gjallni”.

...Kaçaniki ‘o kan dekt...e di unë si f’mi...veç gjadja e v’etër o kan’...kur u pat’ maru gjadja e re masanej ka pas n’rru k’ejt...me t’kallxu drejtë qat’herë u bo nifar zhvillimi...e kjo, moteli, u pat ba t’njajtën kohë me gjimnazin ka e 68’ta, 69’ta...”

I bie rrotull kalasë e nga matanë lumit Nerodime, Moteli qëndron ende i dukshëm, e me reklamën “MOTEL” të ndryshkur, por që ende mbahet.

Si “turist i së ardhmes” dhe banor edhe i së kaluarës, i Kaçanikut, provoj ta mendoj se pse, pas kaq shumë vitesh, ndonëse përbrenda rrënojë e jashtë ende në dukje krenare, kjo ndërtesë prej më ikonikeve në qytet, vazhdon të mbetet nën mëshirën shkatërruese të kohës.

Special p’ej Prishtine vishin qitu me hanger”, më thotë i moshuari derisa çehren e bën asisoji për të përçuar më shumë kuptim tjetër, sikur ndërmend e ka të thotë: sot s’vjen askush në Kaçanik.

Është e vërtetë, në Kaçanik s’ndodh asgjë: nuk i nënshtrohet ndofarë dinamike të ngjarjeve. Është njëjtësia e përhershme ajo që e karakterizon ontologjinë e saj; e ku madje edhe politikisht që nga paslufta Partia Demokratike e Kosovës në Kaçanikut “shkëmb e gur” e ka fitoren sikur “të gdhendur në gur”. Askush s’e kupton pse këtë të fundën.

Poenta: s’ndërron asgjë; muze i vetvetes. Por, jo domosdëshmërisht, sepse ka gjëra që ndërrojnë; njerëzit ndërrojnë vendbanim dhe mërgojnë jashtë vendit. Ndërrim i pikëllueshëm, por megjithatë ndërrim. Këto i mendoj teksa flas me të moshuarin për Motelin.

Megjithatë ai më ndërpret këtë tren mendimesh sikur m’i lexoi brengat e largimit të njerëzve jashtë vendit. “Bexheti Pacolli ka punu qëtu! A e d’i ti këta? Kamarier a kuzhinjer, s’e di, e masanej ka shku në Zvicërr...”.

Ndalet te Bexheti: “Shembull, ai ka pare, munet me renovu, me dasht, këta...se këtu p’ej tana anve vishin...”.

Kthehem edhe njëherë përbrenda Motelit që përnga jashtë vazhdon të duket heroik; e përbrenda sikur t’ia kishin shprazur krejt organet; monumentalitet bosh.

Si turist i së ardhmes po largohem me dëshirën që kjo ndërtesë në Kaçanik të ketë të ardhme...

Lajme të ngjashme