Kodet e fshehura në rock-un kosovar: “Pse shkove ti” realisht i dedikohet shkuarjes së Jugosllavisë?
Kur populli i Kosovës s’guxonte as ta ëndrronte ‘fjalën e lirë’, e le më ta ushtronte siç e bën deri diku sot, rock-muzika shërbeu si një platformë e ngushtë ku mund të shpreheshin ndër tjerash, edhe mesazhe të dykuptimshme. Pra, edhe mesazhe të shfiruara politike.
Shumë prej këtyre këngëve tashmë janë vulosur në mbamendjen tonë kombëtare. E kemi fjalën për ato më legjendaret nga grupet rock (e qe besa edhe pop) që u kënduan gjatë viteve të 80-ta, 90-ta e 2000-ta.
Por, sa prej jush e keni marrë shumë fjalëpërfjalshëm mesazhin e këtyre këngëve? Çka nëse nuk i dedikohej asaj të cilës ju besonit se i dedikohej?
Fatkeqësisht, për shumë prej këtyre këngëve legjendare, ne nuk do ta mësojmë kurrë kuptimin e shifruar.
Vokalisti i njohur i grupit Minatori, Naser Gjinovci, u kontaktua nga Nacionale për të folur mbi tekstet me mesazhe të fshehta, por tregoi për një parim misterioz e të çuditshëm.
“E kemi një parim (për nëntë albumet tona), që të mos komentojmë tekstet tona”, – ishte përgjigjja e dhënë nga Gjinovci, i cili si duket ka vendosur të na lë ‘pikë’ përjetësisht përmbajtjet e këtyre mesazheve.
Andin Lokaj, një komentator i famshëm i sportit i cili ka qenë dikur edhe roker me nam, ishte më i gatshëm të fliste.
I pyetur se a ka pasur mesazhe të fshehta në tekstet e këngëve rok, ai u shpreh në mënyrë fare të drejtpërdrejtë, siç është edhe natyra e tij.
“Po, ka pasë”, – tha haptas ai për redaksinë e kulturës në Nacionale.
“Ka qenë një miks i mesazheve të përcjella. Dashurisë, frustrimit dhe depresionit”, – shtoi më tej Lokaj, krijues i hitit “Larg njëri-tjetrit” (në vetvete përbën çudi ta dëgjosh në vitin 2022 komentatorin e famshëm të sportit derisa i këndon mallit për të dashurën e tij para shumë e shumë kohësh).
Autori është ‘i vdekur’ sipas teoricienit të famshëm Roland Barthes (që besohet se i kishte ligjëruar edhe presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës). Të paktën, autori nuk mund të na diktojë kuptimet që ne marrim nga teksti i tij.
Eh, pra t’i futemi përpjekjes – të paktën sipërfaqësisht – për të kuptuar më mirë tekstet e rokerëve tanë të famshëm.
“Shfletoj Gazetën” – është një ndër këngët më të dëgjuara rok, e publikuar menjëherë pas luftës (2002).
Kjo këngë kishte krijuar bujë me fjalinë “Për çudi sot kurrkujt s’ia paskna q* atë nanë”, në atë vakt të largët. Por, çudia më e madhe na del kur pyesim se kujt i dedikohet ky tekst! Refreni i këngës thotë thjesht “Pse shkove ti?” dhe ideja fillestare është se i kushtohet ndonjë çike, pra se kënga ka motive dashurie. Mirëpo, një teori tjetër na del më bindëse. Se ajo në fakt i dedikohet periudhës së Jugosllavisë titiste (1945-1980).
I gjithë teksti ka përmbajtje të fortë politike si në rreshtat e mëposhtëm:
“Lexoj deklarata nga disa patriotë
gazetarë, shkrimtarë, poet e budallë
vuatjet e tyre për komb janë pandarë
kur të folsh me ta të duket vetja shka”
Apo pak më poshtë kur merret specifikisht me Kosovën dhe internacionalizmin liberal:
“Opsione për Kosovën, sa të duash menjëherë
ta mbështjellin, paketojnë si një hamburger
zgjidhje për Kosovën sa të duash si në korrent
Kosova Republikë, Pavarësi, Kosova Kontinent”
Një përgjigje definitive nga autori Naser Gjinovci për këtë tekst duket se nuk do ta kemi kurrë, përveç nëse ai vendos të shkel parimin për mos-komentim të teksteve.
Të gjithë nostalgjikët për periudhën e Jugosllavisë quhen ‘jugonostalgjikë’ në vendin tonë, por duhet ta pranojmë se kënga është monumentale edhe për ata që nuk kanë kurrfarë nostalgjie për ish-sistemin.
Por, çka thotë Andin Lokaj për një gjë të tillë?
“Është një gërshetim ndjenjash i cili në rock’n’roll përcillet gjithmonë.”
Por, tekstet e grupit ‘Minatori’ doli se ishin problematike edhe në periudhën e lirisë. Ato nuk u transmetuan në televizionet tona edhe pse u bënë hite përgjatë këtyre viteve.
“Përveç RTK-së, këngën (“Shflejtoj Gazetën”) askush nuk e ka transmetu, e sidomos këngën “Krejt Njejtë”, të para dy viteve e që asnjë televizion as sot nuk e lëshon për shkak të tekstit”, - tha tutje Gjinovci.
Mirëpo, “Krejt Njejtë” ka dallim fundamental me “Shfletoj Gazetën”, pasi te e para mesazhi është i qartë dhe kristal i pastër kundër qeverisjes lokale të Vetëvendosjes në Prishtinën që deri në fund të vitit të kaluar drejtohej nga Shpend Ahmeti.
“Prishtinë e bukur
Prishtinë e mjerë
Ty edhe erën e blirit në pranverë
Ta vjedhën, ta zhdukën për një tender
T'kanë vjedhë, t'kanë mjelë
Poshtërue e shkelë
Krejt njejtë! [x2]
Patriota, idiota
Mediokra, rustikal’
Që kurrë nuk të thonë të lutem
As më fal
Me zdrala e bala e zgjyra folklorikë
E krejt kjo në Kosovë
Quhet politikë”
Edhe Bajram Bylykbashi i njohur për popullin që dëgjon rock si “BB Poqi”, e pranon haptas se në tekstet e tij ka pasur kuptime të dyfishta.
“Disa nga tekstet e mia kanë pasur alegori ose metaforë, duke e përshkruar gjendjen e rëndë në Kosovë gjatë viteve të 90-ta. Një ndër këto tekste është edhe kënga “Moskuptimi”, ku në një rresht të këngës personifikohet okupimi serb” – rrëfen për Nacionalen z. Bylykbashi.
Teksti i lartpërmendur thotë:
'Në fytyrën tënde shoh pikturën e grisur,
e zhdukur në prapavijë,
fytyra jote e trembur nga njerëzit e zi’.
Me ‘njerëz të zi’, B.B. Poqi thotë se ka nënkuptuar okupatorin serb.
Ajo që mund të themi në këtë artikull fillestar është që në rok-muzikën e pasur të Kosovës ka një kulturë apo edhe traditë të kuptimeve të dyfishta, ose të fshehta. Për fat të keq, rok-muzika jonë është zbehur shumë.
Ama, çka nëse edhe i gjithë ky artikull nuk ishte bash bash për rokun por për tjetërçka? Çka nëse edhe këtu kishim mesazhe të fshehta?