Kiç dhe Keq
Edhe në mungesë represioni shtetëror megjithatë janë dy gjëra që shoqërisë tonë i mbyllin gojën me një farë diktati të habitshëm: vdekja dhe ndërkombëtarët. Sa herë që një kosovar vdes, shoqëria jonë nuk kursen lavdet për të edhe nëse e ka menduar të kundërtën e plotë derisa ai merrte frymë. E njëjta ndodh edhe kur vepra e filan kosovarit merr vlerësim ndërkombëtar. Prandaj, duke qenë rezistentë ndaj ndërkombëtarit dhe duke njohur natyrën e shtypur të reagimeve pozitive prej tribuje nga shoqëria, nuk kishim lejuar kurrfarë paragjykimi pozitiv brenda nesh për filmin “Zgjoi”.
Në tjetrën anë, kërshëria e përmasave gati epike për filmin (që kishte dalë prej 31 janarit të vitit të kaluar) por edhe tematizimi që i bëhej një rrëfimi për Kosovën në të cilin bënim pjesë vetë, nuk kanë lejuar formësimin e asnjë paragjykimi negativ. Ishim thjesht kuriozë e mendjehapur.
Dhe... e pamë!
Fahrija
Filmi ofron një tjetër përjetim mbi pasojat e luftës në Kosovë por duke e shmangur mjeshtërisht pushtetin e vuajtjes, mbiglorifikimin e klisheizuar të saj, dhe duke i theksuar çastet e përditshmërisë dhe rëndomësisë bajate të protagonistes përmes një qasjeje realiste. Por, derisa kjo ndodh na shfaqen aspekte teknike që zbulojnë vrima të thella dhe që e shthurin krejt realizmin e tij.
Protagonistja e këtij filmi, Fahrija, në jetën reale është një grua frymëzuese të cilën e njihnim nga shumë e shumë kronika televizive në të cilat ishte shfaqur. Ajo është një grua e fortë që përkundër dhimbjes për zhdukjen e dhunshme të burrit gjatë luftës kishte arritur të hapte organizatë joqeveritare, biznes të suksesshëm, të merrte pjesë për nja katër vjet në politikë etj. Para se të shfaqej për 84 minuta te “Zgjoi”, ajo ishte shfaqur për më shumë se 840 minuta para publikut kosovar. Është një grua që nuk ngurron ta shprehë atë që e mendon e nuk ngurron ta kërkojë atë që i përket.
Sidoqoftë, te filmi “Zgjoi” nuk pamë të njëjtën grua. Bile, u munduam ta gjenim duke e shikuar dy herë. Por, ja që s’ishte. Filmi që i dedikohej një gruaje fatkeqe me burrin e zhdukur në luftë, edhe vet ishte zhdukur. Regjisorja Blerta Basholli kishte zgjedhur të përqendrohej në aspektin trupor të afrimit të aktores me Fahrijen duke harruar krejtësisht tablonë e madhe. Edhe pse flokët e gjatë ishin pjesa qendrore e pamjes së Yllka Gashit, filmi mundohej ta paraqiste Fahrijen sidomos në duart e saj, te pulitja e kapakëve të syve, te mbledhja e buzëve, te pamjet e shpeshta në profil dhe te këqyrja mendueshëm jashtë dritares. Karakteri mungonte!