Kërkohen imazhe satelitore të Kosovës në ekspozitën “Looking Beyond”
Medina Pasoma
Ekspozita “Looking Beyond” me imazhe satelitore të vendeve të ndryshme pas rrugëtimit gati në të gjitha kontinentet, u stacionua edhe në Kosovë. Hapja e saj në Prishtinë konsistoi edhe me kërkesën e Klubit të Astronomëve Amatorë për shkrepje të fotografive të regjionit të Kosovës, të cilat do të siguronin një pasqyrim astronomik të vendit.
Nga çasti i shkeljes së ‘pragut’ e deri te ngjitja e shkallës së fundit hyn në një botë tjetër. Marramendjet e lehta në rrotullisjen drejt Observatorit të Prishtinës nuk i ndjen. Ngjyra rozë, planetet plotë dritë dhe imazhe tjera artistike të bëjnë për vete. Por sapo të arrish në ballkonin e institucionit që ka qenë jo - funksional për më shumë se 40 vjet, përballesh me diçka ende më të prekshme.
Kati i dytë i Pallatit të Rinisë ka qenë destinacioni i imazheve satelitore të cilat i ngjanin një dokumentari astronomik në ecje. Fotografitë dokumentonin kompleksitetin e tokës të shkrepur nga qielli. Edhe më divers e bënte fakti që në 70 fotografi të bëra nga pleajda satelitore COSMO SkyMed përfshiheshin Tajlanda, Egjipti, Singapori, Brazili, Italia e një sërë vendesh.
E nga rrugëtimi në pothuajse në të gjitha kontinentet, ekspozita “Looking Beyond” u stacionua edhe në Prishtinë. Me të erdhi edhe kërkesa që fokusi i radhës të jenë shkrepjet e Kosovës.
“Na një kërkesë e kemi pasur për Agjencinë Italiane të Hapësirës që fotot e radhës të jenë nga rajoni gjeografik i Kosovës, mos të jenë vetëm nëpër botë. Na kanë premtuar që do t’i bëjnë disa imazhe satelitore të Kosovës dhe Ballkanit që t’i ekspozojmë mandej në Observator”, tha për Nacionalen drejtuesi i Klubit të Astronomëve Amatorë të Kosovës, Suhel Ahmeti.
Sipas Ahmetit, në shënimin e 9 vjetorit të themelit të Klubit që drejton, kanë dashur që të shpërfaqin jo veç anën shkencore, por edhe pasurinë kulturore e artistike.
“Në të njëjtën kohë kemi dashur ta rrisim vetëdijen për ndryshimet klimatike, të pasionohemi me këto imazhe që i ka bërë sateliti i planetit tokë, por që edhe Kosova me hy në listën e atyre vendeve që e promovojnë kulturën e artit bashkëkohor”, shprehet ai.
Kuratori Filippo Maggia, i cili cilësohet si ekspert në fushën e fotografisë, kësaj radhe nuk ka pasur bashkëpunëtor. Në mungesë të një autori të imazheve, ai ka shpenzuar mbi gjashtë muaj për të sjellë ekspozitën në gjendjen finale.
“Objektivi im ka qenë që të përfshij sa më shumë imazhe satelitore që eksplorojnë. Ekspozita ka qenë shumë e kërkuar dhe vazhdon të udhëtoj tutje. Është prezantuar në të gjitha kontinentet. Isha kureshtar me pa Kosovën,” - thotë ai për iniciativën e ardhjes në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e cilësoi ekspozitën si mundësi për zgjerimin e hapësirës edukuese për gjeneratat e reja.
“Sot e kemi një ekspozitë shumë interesante për me pa nga qielli në tokë, për me i mësua fëmijët e profesionistët tonë që sot shkenca, teknologjia shfrytëzohet për gjëra shumë të rëndësishme,” - tha Rama.
Ndërkaq nga të gjitha fotografitë e ekspozuara, organizatori Ahmeti veçon atë të Brazilit, në të cilën mund të shihen rrjedhat ujore nga hapësira e tokës.
“Kjo tregon se kur shkencëtarët kanë dashur të bëjnë shkrepje, përmes rrjedhave të ujit kanë arritur të dhënë shpjegimin se edhe Marsi para miliona viteve ka qenë i banueshëm sikur toka. Por meqenëse ka pasur probleme të brendshme është bërë i pabanueshëm. Kjo tregon se uji është burimi kryesor i jetës në tokë,” - thotë Suhel Ahmeti.
Ekspozita “Looking Beyond” është promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Italiane me kontributin e Agjencisë Italiane të Hapësirës (ASI) dhe të kompanive e-GEOS dhe Telespazio.