Kaosi i shkrimtarit: shqyrtim për veprën ''Kënga e qenies dhe e dukjes'', Cees Noteboom - NACIONALE

Kaosi i shkrimtarit: shqyrtim për veprën ''Kënga e qenies dhe e dukjes'', Cees Noteboom

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Në esenë e tij për Servantesin, kritiku Harold Bloom, shkarazi ka thënë një fjali mjaft interesante: Franz Kafka është shkrimtari qëndror i kaosit tonë.
Kjo fjali është, ndoshta mes të parave që m'u kujtua kur nisa ta lexoja romanin e vogël, ''romanthin'' nëse mund t'i them, e shkrimtarit holandez Cees Noteboom ''Kënga e qenies dhe e dukjes.

Në qendër të romanit janë dy shkrimtarë dhe rrëfimi ngatërrohet disa herë ndërmjet asaj që jetojnë ata të dy dhe asaj që ''jetojnë'' personazhet e njërit prej shkrimtarëve: një kolonel dhe një mjek. Duke u zhvilluar, libri merr një karakter meditativ nëpërmjet të cilit shpesh duket se autori merret me veten. Bota që krijohet në libër është ''e përmbysshme''. Shkrimtari personazh mendon, ndërsa personazhet e shkrimtarit veprojnë.
Meditimi i shkrimtarit është orientuar kryesisht në ''a ia vlen të shkruhet?'' dhe ''pse të krijohet një realitet tjetër mbi realitetin e jetës?''.
Shkrimtari tjetër, koleg i tij, në një pjesë të dialogut të tyre për letërsinë, thotë:

''Kur një piktor e kalon ditën duke menduar për pikturën, ai nuk pikturon më''. Dhe patjetër, me apo pa insistimin e mikut, ai duhet të shkruante. Pjesërisht sepse, siç i thotë tjetri, ''ti nuk di të bësh asgjë tjetër''.

Arsyeja pse jam shkundur nga ky libër është se aty, i gjithë debati teorik-letrar mbi shkrimtarin, personazhin, krijimin, merr formën e një manifesti i cili, në vend se të argumentojë, mjaftohet duke shfaqur. Për shembull, ai ndalet së shkruari për katër muaj dhe pastaj, ndien njëfarë ''faji'' që lexuesi, kur ta marrë në dorë veprën, nuk do ta dijë se një fjali është lënë në gjysmë për katër muaj, por do ta përjetojë si një fjali të plotë, ashtu siç e sheh.
Në ndërkohë, nëse bota e personazheve ekziston, e ajo ekziston, siç i thotë kolegu, ''në çastin që e përfytyrojmë'', atëherë i bie që shkrimtari ynë e ka ngrirë për katër muaj jetën e dy personazheve.

''Lexuesi do të dijë ç'do të ndodhë me kolonelin tënd'', i thotë kolegu, ''se ç'bëhet brenda teje, ai s'e çan kokën''. Por, përgjatë veprës, ata që janë mjaftueshëm fatlumë që të binden nga ky tekst e të shkojnë ta marrin librin, do të shohin se, përkundër këshillës së kolegut, shkrimtari nuk dëshiron vetëm ''të rrëfejë'', por edhe të shpërndajë pjesë nga vetja nëpër personazhet e veta.

Meditimi është i vazhdueshëm dhe sfilitës: shkrimtari e vret mendjen se pse duhet të ketë gjithë atë pushtet mbi një person(azh). Pse duhet të vendosë ai për veshjen, shijen, leximet, gratë, e gjithë ç'lidhet me jetën e ''dikujt''?
Nga pushteti i shkrimtarit, te mungesa totale e pushtetit, ai do ta ndiejë veten të nxjerrë jashtë loje nga personazhet mbi të cilat ushtron kontroll tiranik. Do të ndiejë, si edhe koloneli për gruan e doktorit, një diçka që, me gjysmë goje e quan ''eksitim'', për gruan personazh. Të të tërheqë një grua që nuk ekziston? Mbase shkrimtari nuk është aq i gjithpushtetshëm mbi personazhet.

Sidoqoftë, mes gjërave që thuhen nga kolegu i tij, në funeralin e një shkrimtari tjetër që përshkruhet si ''shkrimtar i zellshëm, në mungesë të të qenit i madh'', është edhe kjo fjali e bukur, për të cilën po tërheq vëmendjen në këtë tekst:

''Ka dy gjëra që i bëjnë lexuesit për të marrë arratinë - një: mungesa e zanatit, dhe dy: që t'i mërzisim duke ua çarë kokën me probleme zanati.''

Duke e thënë këtë fjali, duhet të shtoj se, nuk është e huaj për mua frika mos iu çaj kokën lexuesve të këtij teksti me ''probleme të zanatit'' të letërsisë, prandaj mbase është më mirë ta mbyll me një sugjerim të këtillë:

Nëse për Harold Bloomin, Kafka është shkrimtari qëndror i kaosit tonë. Atëherë, kur bëhet fjalë për kaosin brenda një shkrimtari, libri i Cees Noteboom bën pjesë padyshim, mes qëndrorëve. Është një libër manovrash jashtëzakonisht të zhdërvjellëta, një libër dilemash e mbi të gjitha, një libër që nuk na le të përfytyrojmë gati në asnjë çast se edhe prapa personazhit shkrimtar, qëndron shkrimtari person: Cees Noteboomi.

I shkruar me mjeshtrinë e rrallë të holandezit, disa herë kandidat për Nobel, ''Kënga e qenies dhe e dukjes'' është rrëmuja identitare mes ''të qenit'' shkrimtar dhe ''të dukurit'' i tillë.
Një nga leximet më kualitative të kohëve të fundit për mua, e besoj, edhe për juve.

Lajme të ngjashme