Ismail Kadare, sot 87 vjeç - NACIONALE

Ismail Kadare, sot 87 vjeç

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkrimtari më i njohur i letërsisë moderne shqipe, Ismail Kadare, më 28 janar mbush 87 vjet jetë. Kadare ka fituar shumë çmime ndërkombëtare dhe disa herë ka qenë i nominuar për Çmimin Nobel për Letërsi.

Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, "Ëndërrimet", (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të shpërngulet në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.

Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Lajme të ngjashme