Fizikani zbulon shpërthimet që do t'i japin fund universit tonë
Një studim i ri hedh dritë mbi supernovën e fundit të Universit.
Një fizikan llogariti se kur dhe si do të ndodhin shpërthimet përfundimtare në universin tonë.
Matt Caplan i Universitetit Shtetëror të Illinois parashikon se xhuxhët e zinj do të bëhen supernova në të ardhmen e largët.
Rreth një miliard trilion yje do ta ‘arrijnë’ këtë qëllim.
Si do të duket fundi i universit? Një studim i ri tregon se një seri shpërthimesh xhuxhësh të zinj mund të jenë kodi i fundit të universit.
Matt Caplan, fizikani teorik nga Universiteti Shtetëror i Illinois, thotë se fundi i universit do të jetë "një vend pak i trishtuar, i vetmuar dhe i ftohtë". Pritshmëritë e shumicës se shkencëtarëve janë që nuk do të ketë shumë gjëra përreth për të dëshmuar procedurat e kësaj "vdekjeje nga nxehtësia" – vetëm vrima të zeza dhe yje ‘të vdekur’. Por Caplan sheh edhe diçka tjetër.
Gjersa universi funksionon tani, yjet masivë vdesin në shpërthimet e supernovës që pasojnë një akumulim të tepërt të hekurit në bërthamat e tyre. Yjet më të vegjël përballen me vdekjen duke harxhuar të gjithë karburantin e tyre bërthamor dhe duke u shndërruar në xhuxhë të bardhë.
Hulumtimi i Caplan tregon se derisa këto objekte hapësinore vazhdojnë të ftohen për triliona vjet, ato do të zbehen plotësisht, do të shndërrohen në trupa të ngurtë dhe do të bëhen "xhuxhë të zinj". Këta trupa yjorë super të dendur do të përmbajnë kryesisht elemente si karboni dhe oksigjeni dhe do të kenë madhësinë e Tokës, ndërsa masën e Diellit.
Caplan mendon se edhe pse këta yje do të digjen, do të ndodhin procese të ngadalta të shkrirjes, duke prodhuar hekur, i cili përfundimisht do të çojë në shpërthime. Shkencëtari llogarit se sa kohë kanë këta xhuxhë të zinj përpara supernovave të tyre në një botë të ardhshme të mbushur me "mbetje të rralla të degjeneruara", siç i quan ai në punimin e tij.
E para nga këto ‘lulëzime’ përfundimtare të universit tonë do të ndodhë rreth 10 ^1100 prej tani. "E shprehur në vite, është si të thuash fjalën "trilion" pothuajse njëqind herë," shpjegon Caplan, duke vënë në dukje se "Nëse e shkruani atë numër, do ta zinte pjesën më të madhe të një faqeje. Është jashtëzakonisht larg në të ardhmen.”
Ai nuk parashikon që të gjithë xhuxhët e zinj do të përfundonin duke shpërthyer, vetëm ata më masivët, me masë rreth 1.2 deri në 1.4 herë më shumë se masa e Diellit. Kjo do të thotë se rreth 1 përqind e yjeve që ekzistojnë sot do të përballen me këtë eventualitet. Po t’i numërojmë kjo përbën rreth një miliard trilion yje. Pjesa tjetër do të mbesin xhuxhë të zinj.