‘’Euphoria’’ mbi Prishtinë - NACIONALE

‘’Euphoria’’ mbi Prishtinë

1 muaj më parë

nga Anita Nikaj

Jetë e paralizuar për një kohë të gjatë, pasoja.

Shkaku, një vendim i Komunës së Prishtinës.

Fundjavëve muzika nëpër pube e kafene shuhet para orës 00:00.

Mbrëmjet me shoqëri e partnerë, kujt ia ka qejfi të dalë, duhet t’i ndërpresë në gjysmë. Njëra ndër to jam vetë.

Atë që e dija për përjetim jete të natës në Prishtinë, ka kohë që s’e di më. E kjo nuk ishte Prishtina e gjithëhershme, kur, mbamendja ma jep, vendi mbante në horizont të vet një larmi zgjedhjesh.

Mbrëmjet nuk përfundonin në mesnatë ose rrugëve, në përpjekje për të gjetur një vend që nuk ishte klub. Klube në Prishtinë ka me bollëk, por ato që ofrojnë lënë shumë për të dëshiruar: çmime astronomike në hyrje dhe pije të shtrenjta brenda. Më shumë djersitesh nga çmimet e larta sesa nga vallëzimi. Prandaj, për shumë prej nesh, klubet nuk mbeten as opsion.

Nëse kafiteritë dhe pubet mbyllen në mesnatë, ndërsa klubet nuk janë zgjedhje për shkak të çmimeve të larta, ku shkojmë?

Realisht, nuk po shkojmë askund. Po kthehemi në shtëpi, të frustruar me një sistem që nuk na ofron gjë – jetë nate jo, e as dite. Me disa aktivitete të zbehta që, me zor, mbushin disa mini-salla ose shtëpiza në shesh.

Këto mini-salla të ftohta, ku performon Filharmonia e Kosovës, sepse shtëpia e operës u premtua, por kurrë nuk u ndërtua. Ku performon Trupa e Baletit të Kosovës, të cilët nuk kanë as zhveshtore e as skenë të hairit për të performuar. Ku performon Trupa e Teatrit Kombëtar, ndërsa muaj të tërë teatri ka mbetur duke u rinovuar.

Kaq për rëndësinë e jetës kulturore, jetës së natës, hapësirave publike dhe shumë problemeve të tjera. Në fund të ditës, pas disa vitesh, ndoshta nuk do të më interesojë, nëse pubet dhe kafiteritë mbyllen në orën 11, nëse është ndërtuar shtëpia e operës apo nëse është rinovuar Teatri Kombëtar. Por sot, kjo më intereson. Dhe sot, gjendja është në fund të pusit.

Kur të rinjtë mbeten rrugëve, ata marrin kontrollin dhe kërkojnë një zgjidhje për një sistem të dështuar. Pikërisht këtë kanë bërë disa të rinj, të cilët kanë vendosur që jetën e natës ta sjellin mbi Prishtinë, edhe pse vetëm një herë në 2-3 muaj.

Ora kishte kaluar mesnatën dhe akrepat tregonin 12:30. Përballë një salle në periferi të Prishtinës, ishte krijuar një radhë e gjatë. Të rinj e të reja, të veshur me rrobat ekstravagante, unike dhe goxha më stil, prisnin të hynin brenda. Ndërsa ajri i ftohtë i dimrit depërtonte në palcë, askush nuk ankohej për pritjen e gjatë. Njerëzit dukeshin të përqendruar në atmosferën që i priste, plot entuziazëm dhe pritshmëri të larta. Në fund të ditës, emra të mëdhenj të skenës tekno do të përformonin.

Zhurma e muzikës dëgjohej edhe jashtë - një melodi ritmike që ngjallte kuriozitet dhe gjallëri. Dridhjet e basit dukeshin sikur përshkonin muret dhe mbërrinin te këmbët e të pranishmëve.

‘’Tepër të bukura syzet’’, ‘’I kam porositur para disa muajve (në një faqë online), më kanë ardhur bash sot për nejë’’, ‘’Çfarë koincidence që të kanë ardhur bash sot’’, ‘’E kam manifestuar që të më vinë sot, vetëm energji të mirë, pozitive’’.... ‘’Kënaquni sonte, shijojeni’’, këto ishin vetëm disa nga bisedat të cilat silleshin përreth, derisa ishim duke pritur në rend për të hyrë brenda.

Kohë pas kohe, dëgjoheshin biseda të ngjashme, ku njerëzit ndanin histori të vogla, qeshnin dhe uronin njëri-tjetrin. “Kënaquni sonte,”. “Shijojeni deri në fund!” . Ishte një atmosferë që rrallë mund ta përjetoje diku tjetër në qytet – një kombinim i spontanitetit, gëzimit dhe shpresës që kjo natë do të shërbente si arratisje nga rutina e zymtë, të cilën tashmë Prishtina është duke ua dhënë të rinjve e të rejave.

Kur mendova se ende nuk kishin arritur të gjithë, duke pritur në radhë jashtë, u befasova nga ajo që më priti brenda. Salla ishte e mbushur me njerëz që kërcenin në çdo cep, ndërsa një numër edhe më i madh priste të hynte. Ajri ishte i ngrohtë, i mbushur me energjinë e turmës dhe dridhjet e muzikës që përshkonin çdo pjesë të hapësirës.

Basi shpërthyes dhe dritat që shfaqeshin në harmoni me ritmin ishin të parezistueshme; këmbët e mia filluan të lëviznin pa e kuptuar. Në skenë, Elen Payne, një artiste kolumbiane e stacionuar në Berlin, ishte duke “nxehur” atmosferën. Një ndërthurje e organikes dhe teknologjisë, ku dritat dhe tingujt e basit krijonin një sinergji që kishte kapluar të gjithë sallën.

Turma tashmë nuk po qëndronte më në vend. Dyshemeja dhe muret dridheshin, sikur e gjithë struktura po vallëzonte bashkë me ta. Për një orë e gjysmë që fluturoi më shpejt sesa mund ta kuptoje, Elen Payne kishte arritur ta elektrizonte turmën.

Pastaj ora shënoi 01:30 dhe skena mori jetë nga një tjetër energji. Në mes të një atmosfere të mbushur me pritshmëri, u shfaq DJ spanjoll, Vendex, me maskën e tij të artë dhe pallton e gjatë që e bënin të dukej si një figurë mitologjike. Sa hyri në skenë, gjithçka ndryshoi. Energjinë që e solli me vete e ndieje menjëherë – turma kaloi nga entuziazmi në ekstazë të plotë.

Dyshemeja dridhej nën peshën e vallëzimeve të turmës, ndërsa djersa u shndërrua në shoqëruesin e pashmangshëm të çdo lëvizjeje. Tingujt e errët dhe të fuqishëm të “dark techno”-s industriale, acidit dhe hard techno-s, qëndronin në qendër të performancës së tij. E gjithë kjo, e mbështjellë me filozofi dhe art, e kishte transformuar sallën në një udhëtim shpirtëror.

Vendex ishte i ndikuar nga “Komedia Hyjnore” e Dante Alighieri dhe gjithçka që lidhej me alkiminë. Tingujt e tij të errët dhe meloditë e forta krijuan një rrugëtim që përshkonte ferrin për të arritur deri në parajsë. Turma e kuptoi këtë. Lëvizjet e tyre, sikur të udhëhequra nga një forcë e padukshme, pasqyronin atë udhëtim të brendshëm që kalonte përmes errësirës dhe përfundonte në dritë.

Pasi e çoi turmën drejt parajsës dhe e riktheu në realitet, Vendex ia liroi skenën dyshes holandeze “Toxic Machinery”. Me teknon e tyre industriale, ata morën përsipër që ta mbanin të gjallë ritmin e natës. Për dy orë të pandërprera, ata e mbajtën turmën nën një magji hipnotike.

Ajo që të befasonte më shumë ishte kalimi i DJ-ve nga njëri te tjetri. Ndërsa energjia dhe muzika ndryshonin, tempon e natës nuk e humbnin kurrë. Ishte një lojë mjeshtërore e ritmit, një natë ku të gjithë ishin një trup i vetëm, duke ndjekur një udhëtim muzikor që zgjaste deri në mëngjes.

Nata ishte e gjatë, dhe ndërsa ora kalonte, më kapi një lodhje që nuk mund ta injoroja. Herë pas here, kërkoja ndonjë cep për t’u ulur dhe për të marrë frymë, por mendimi se po humbisja një moment nga kjo natë magjike më mbante në këmbë. Tempoja e muzikës nuk ndalej asnjëherë, dhe çdo ulje më dukej si një humbje kohe e mundësie për të përjetuar magjinë që po ndodhte para syve të mi.

Teksa turma shkrihej me tingujt dhe bëhej një me ritmin, ora kishte mbërritur 05:30. Në skenë u ngjit Loren, një DJ “in-house” nga Tirana. Ajo mori stafetën me një energji të pandalshme, duke mbajtur nivelin e njëjtë si DJ-të ndërkombëtarë që dëgjuam deri në atë orë. Loren nuk tregonte asnjë shenjë lodhjeje; performanca e saj ishte e qëndrueshme dhe plot jetë.

Sytë e mi filluan të mbylleshin, ishte vonë, por tentova ta dëgjoja edhe performacën e fundit të Brzrkr dhe Markwonit, të cilët po performonin në mënyrë b2b (back-to-back), Vendimi për të qëndruar ia vlejti – ata nuk zhgënjyen, duke mbajtur atmosferën në maksimum deri në fund.

Për më shumë se 12 orë, “Euphoria” ra mbi Prishtinë si një mantel magjik. Ishte një natë që të gjithë do ta kujtonin gjatë – edhe pse disa ditë kanë kaluar, ende dëgjon biseda për atë që ndodhi atë natë. Ishte më shumë sesa një event muzikor; ishte një përvojë kolektive, një arratisje nga realiteti i përditshëm.

Në një qytet ku hapësirat për argëtim janë të pakta, ku festivalet e mëdha janë zhvendosur drejt Shqipërisë dhe ku çmimet e larta e bëjnë të vështirë pjesëmarrjen në eventet lokale, ngjarje si “Euphoria” shndërrohen në ngjarje të jashtëzakonshme.

Kur kthehem pas në kohë dhe mendoj për fillimet e “Euphoria”-s, më mahnit transformimi që ka ndodhur. Nga një sallë e vogël sporti me disa dhjetëra pjesëmarrës, në një event me mijëra njerëz dhe vëmendje ndërkombëtare. Ishte një projekt i nisur nga një grup shokësh, që u kthye në një histori suksesi dhe një simbol i rezistencës së jetës “underground”.

Në një kohë kur jeta e natës shpesh duket sikur i përket vetëm një grupi të privilegjuarish, këto iniciativa të vogla mbajnë gjallë frymën e komunitetit. Ato ofrojnë një grimë shprese se edhe përkundër barrierave dhe mungesës së hapësirave, fryma krijuese dhe dëshira për të festuar ende ekzistojnë.

Deri në “Euphoria”-n e radhës, mirëmbetshi!

Lajme të ngjashme