Për ditën e librit del një hulumtim: Mbi 30% e qytetarëve të Kosovës s'dinë ta përmendin asnjë libër të lexuar - NACIONALE

Për ditën e librit del një hulumtim: Mbi 30% e qytetarëve të Kosovës s'dinë ta përmendin asnjë libër të lexuar

3 vjet më parë

nga Rea Sefa

Sot shënon dita botërore e librit dhe në Kosovë është kryer një hulumtim nga OJQ ‘ETEA’ dhe shtëpia botuese ‘Dukagjini’, nga i cili hulumtim kanë dalë matje se sa lexojnë qytetarët e Kosovës.

Në një komunikatë për media, ata tregojnë lidhur me statistikat dhe gjithçka tjetër sa i përket leximit të librave nga shoqëria kosovare.

Shtëpia botuese ‘Dukagjini’ dhe organizata ‘ETEA’ përmes anketave, fokus grupeve e intervistave, kanë nxjerrë të dhëna nga 12 komuna të Republikës së Kosovës, sa i përket leximit të librave.

Në terren janë anketuar gjithsej 1486 persona të moshave 10-65+ vjeç- raporton Dukagjini.

Të dhënat janë alarmante, ku: 31.29% e qytetarëve të Kosovës nuk dinë të përmendin asnjë libër të lexuar, derisa 52.24% nuk arrijnë t’i listojnë tre tituj librash në total.

Kjo lë të kuptohet se më shumë se gjysma e popullsisë së Republikës së Kosovës nuk lexojnë pothuajse fare libra.

Të pyetur lidhur me autorin e tyre të preferuar, autorët më të preferuar dalin të jenë: Ismail Kadare- nga vedorët, e Colleen Hoover- nga të huajt.

Gjatë anketimit në terren, tregohet në komunikatë se respodentët janë pyetur për qëndrimet e tyre lidhur me disa nga frazat e çuditshme të shpeshdëgjuara si: ‘’Me lexu shumë, bëhesh budallë’’.
Vlenë të ceket se 9.4% kanë vlerësuar se kjo frazë qëndron.

Për nivelin e ulët të leximit dhe mungesës së kulturës së leximit, qytetarët e Kosovës, në shumicë, kanë arsyetim të njejtë. Më shumë se gjysma e të anketuarve e intervistuarve, arsyetohen me faktin se nuk kanë kohë të lirë për të lexuar, dhe insistojnë se do të kishin lexuar më shumë nëse do të kishin më shumë kohë.

Mirëpo kur ata pyeten se si do të preferonin ta kalonin kohën e lirë, vetëm 20.7% thonë se do të lexonin një libër, pjesa tjetër thonë se do të shihmin programe argëtuese, e një pjesë më e vogël thonë se do të merreshin me ndonjë aktivitet sportiv.

Lidhur me këtë çështje dhe këtë hulumtim, shtëpia botuese ‘Dukagjini’ dhe organizata ‘Etea’ bëjnë me dije se institucionet relevante lidhur me gjendjen e nivelit të kulturës së leximit në Republikën e Kosovës ende nuk iu janë përgjigjur kërkesave për intervistim.

Lajme të ngjashme