Chris Rock për herë të parë ka folur për shakanë që i kushtoi me shuplakë nga Will Smith
Chris Rock ka adresuar talljen që kishte bërë për Jada Pinkett Smith, që rezultoi me shuplakën famëkeqe nga Will Smith.
Përveç nëse keni kaluar një pjesë të këtij viti duke jetuar nën shkëmbinj, është pak e mundur të mos keni dëgjuar për momentin e Smithit, kur u fut në skenën e 'Oscars' dhe goditi me shuplakë Rock, para se të rikthehej për të bërtitur: "Mbaje emrin e gruas time larg gojës tënde të fëlliqur".
Reagimi i tij erdhi si përgjigje pas një shakaje që Rock e kishte bërë për gruan e Smith - duke e krahasuar kokën e saj të rruar me GI Jane.
Deri tani, Rock, 57-vjeçar, nuk ka folur shumë për tërë situatën, por, derisa është në turne me bashkëkomedianin Dave Chapelle, më në fund ka ndarë mendimin e tij.
I pyetur nga Chapelle nëse goditja i dhëmbi, ai u shpreh për turmën: "Dreqin, po... ai bir bushtre më goditi për një shaka të kotë. Shakaja më e mirë që e kam thënë ndonjëherë".
Sipas raporteve nga 'TMZ', ai vazhdoi: "Shumë njerëz harrojnë kush është Will Smith. Pastaj, 10 minuta para se të merrte çmimin më të madh... ai u soll sikur të ishte në Filadelfia.
"Will luajti rolin e personit perfekt për 30 vite, dhe pastaj hoqi maskën dhe tregoi se është po aq i shëmtuar sa të gjithë ne.
"Çfarëdo që të jenë pasojat... shpresoj të mos e vë maskën përsëri, dhe të lë fytyrën e vërtetë të marrë frymë. E shoh veten në të dyjat".
Smith, i cili fitoi 'Oscar' për rolin e tij në 'King Richard' natën e njejtë të incidentit, i kërkoi falje Rock në korrik, duke pranuar se u soll në mënyrë "të papranueshme".
Në një klip të ngarkuar në YouTube, ai tha: "Kam kontaktuar me Chris dhe mesazhi që kam marrë është se nuk është i gatshëm të flasë dhe kur të jetë, do të thërras", tha ai.
"Të them ty Chris, të kërkoj falje për sjelljen time të papranueshme, dhe jam këtu kurdo që je i gatshëm të flasësh.
"Kam kaluar tre muajt e fundit duke e ritransmetuar dhe duke kuptuar nuancat dhe kompleksicitetin e asaj që ndodhi në atë moment, tash nuk do të mundohem ta elaboroj të gjithën.
"Por mund t'iu them të gjithë juve - asnjë pjesë e imja nuk mendon se ishte mënyra e duhur të sillem ashtu në atë moment.
"Asnjë pjesë e imja nuk beson se ajo është mënyra optimale për ta përballuar mungesën e respektit dhe ofendimet".
i

