'Jada, e vetmja me dinjitet' - kështu reagoi bota e internetit pas shuplakës së Will Smith në Oscars 2022
Jada Pinkett Smith u lavdërua nga shfrytëzuesit e rrjeteve sociale për 'dinjitetin' në reagim, ndaj talljes së Chris Rock me kokën e saj pa flokë, në Oscars, mbrëmë.
Aktorja 50-vjeçare u shndërrua në subjekt talljeje nga prezantuesi, i cili shikoi drejt Pinkett Smith dhe u tall, duke thënë se "mezi pret G.I. Jane 2", qartazi duke e shndërruar në humor mungesën e flokëve të aktores, derisa riktheu në vëmendje filmin e vitit 1997, "G.I Jane".
Ajo u pa duke rrotulluar sytë, para se kamera të rikthente vëmendjen te Rock, derisa burri i saj, Will Smith u fut në skenë dhe goditi me shuplakë atë, para se më vonë t'i bërtiste nga ulësja "mbaje emrin e gruas time larg gojës tënde të fëlliqur".
Është e paqartë nëse Rock ishte në dijeni për eksperiencat e Pinkett Smith me 'alopecinë' (gjendje që manifestohet me rënie flokësh, pasi sistemi imunitar sulmon folikulat e flokëve), para se të bënte këtë tallje në spektakël, të dielën mbrëma.
Mirëpo, shumica prej atyre që po e shikonin, vlerësuan lart aktoren për reagimin e saj ndaj momentit eksploziv, me njërin që shkroi:
"Jada është personi i vetëm që doli me dinjitet nga kjo."
Një tjetër shkroi:
"Po mendoj për Jada Pinkett Smith dhe tërë ato nëpër të cilat duhet të kalojë sonte dhe, me shumë gjasë, çdo natë tjetër."
"Ajo nuk meriton asgjë nga ato me të cilat do të përballet dhe nga ajo do të pritet lartësim dhe dinjitet, gjë që është totalisht e padrejtë."
I treti shkroi:
"Jada gjithmonë më jep përshtypjen e një gruaje intelegjente dhe të artikuluar, e cila do ta gjente një mënyrë për ta mbrojtur veten më vonë, ky është turp absolut!"
"Po të më ndodhte mua, do të ndihesha më e turpëruar nga sjellja e burrin tim, se nga shakaja e G.I Jane".
Momenti sensacional erdhi disa momente pasi Rock u fut në skenë për të prezantuar çmimin "Dokumentari më i mirë".
Gjithçka eskaloi kur Rock, 57-vjeçar, iu drejtua Smith, 53-vjeçar, dhe gruas së tij, duke thënë:
"Jada, të dua. G.I Jane 2, mezi pres ta shoh."
Në atë pikë, kamera u kthye nga Smith, i cili fillimisht u pa duke qeshur, madje edhe duartrokiti, një gjest që sugjeroi se ai e pa anën qesharake të talljes.
Por, derisa Smith qeshi sa ishte ende i ulur, Pinkett Smith - e cila ka qenë e hapur me eksperiencat e saj me alopecinë - rrotulloi sytë, në shenjë frustrimi dhe proteste.
"Kjo ishte një e mirë!" tha Rock në skenë, duke justifikuar talljen e tij.
Mirëpo, gjatë sekondave që kamera kishte larguar fokusin, Smith u çua nga ulësja dhe u fut në skenë, derisa Rock po shprehej me "Uh-oh...".
Ky ishte momenti kur bota pa yllin e 'King Richard', Will Smith - i cili më vonë do të fitonte çmimin për 'Aktorin më të mirë' - iu afrua Rock dhe e goditi me shuplakë në fytyrë.
"Wow", Rock mund të dëgjohej duke thënë pas sulmit. "Will Smith sapo më goditi keq."
Në pamjet që ishin të pacensuruara, Smith u dëgjua duke thënë:
"Mbaje emrin e gruas time larg gojës tënde të fëlliqur."
Aktorja, Lupita Nyongo, e cila ishte ulur afër Smith, mund të shihej qartazi e hutuar nga ajo që sapo kishte ndodhur, derisa disa nga audienca hamendësonin nëse krejt kjo ishte inskenim.
Por, derisa Will komentoi rëndë pas shuplakës, shprehja e fytyrës së Nyongos shpejt u kthye nga serioziteti.
Shkëmbimit iu ndal zëri në transmetimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por u dëgjua plotësisht nga audiencat ndërkombëtare.
Pasi u godit me shuplakë, Rock u duk i shokuar dhe tronditur derisa u mundua të rikthehej te prezantimi i çmimit për dokumentarin më të mirë.
"Kjo ishte nata më madhështore në histori të televizionit", tha Rock, para se në mënyrë të sikletshme të rikthehej te çmimi, i cili i shkoi dokumentarit 'Summer of Soul'.
Reperi Diddy ishte personi tjetër që e komentoi ngjarjen, duke thënë "Will, Chris, do ta zgjidhim këtë si familje në ahengun e artë (ahengu pas ceremonisë, që organizohet për çdo vit nga reperi Jay Z). Për tani, do të vazhdojmë me dashuri."
Dy herë aktori më i mirë i Akademisë, Denzel Washington, mund të shihej teksa ngushëllonte Will dhe Jada, pasi goditi me shuplakë Rock, gjatë ndërprerjes publicitare.
Smith gjithashtu u pa duke u ngushëlluar nga Tyler Perry dhe Bradley Cooper, i cili vendosi duart mbi supet e Smith, derisa u mundua t'i jepte fjalë përkrahjeje.
Më vonë, Smith hapi fjalimin pranues me një mbrojtje emocionale që i bëri sulmit ndaj Rock për talljen me kokën pa flokë të Pinkett Smith.
"Richard Williams ishte një mbrojtës i frikshëm i familjes së tij", tha Smith në komentin e parë, para se të vazhdonte: "Ftohem t'i dua njerëzit dhe të mbroj njerëzit dhe të jem lum për njerëzit e mi."
Smith vazhdoi të kërkonte falje të pjesshme për shpërthimin emocional, por nuk i kërkoi falje Rock.
"Dua t'i kërkoj falje Akademisë, dua t'u kërkoj falje të nominuarve të tjerë. Ky është një moment i bukur", tha ai.
"Arti imiton jetën. Dukem si babai i çmendur", tha Smith. "Por dashuria të bën të bësh gjëra të çmendura."
Disa orë më vonë, Will tregoi se kishte përkrahjen e plotë të familjes, derisa festoi triumfin në Oscar, në 'Vanity Fair Party'.
Aktori ishte përkrah gruas Jada, fëmijëve Jaden, 23-vjeçar, Willow, 21-vjeçare, dhe birit të tij Trey, 30-vjeçar, në eventin që u mbajt në qendër të 'Beverly Hills'.
Aktori u përshëndet nga një turmë yjesh që po brohoritnin, derisa gruaja Jada ishte përkrah tij, disa orë pas incidentit.
Aktori 55-vjeçar pozoi për selfie, kërceu me miqtë e tij dhe këndoi mbi disa prej këngëve më të popullarizuara rep, përfshirë 'Summertime' dhe 'Gettin; Jiggy wit It', me Jadan që po i jepte përkrahje.
Jaden dhe Willow iu bashkuan prindërve në ahengun pas ceremonisë.
Reperi Jaden më herët kishte përdorur Twitterin për të mbrojtur babanë, duke shkruar "Dhe kështu e bëjmë ne!" në një postim që pastaj e fshiu, para se të shtonte në një shkrim tjetër "Fjalimi i babait më bëri të qaj".