Asgjë sikur Komunizmi - Flamuri me yll ngjall debat në Tiranë - NACIONALE

Asgjë sikur Komunizmi - Flamuri me yll ngjall debat në Tiranë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bendi i njohur kosovar “Asgjë sikur dielli” përformoi në festivalin “Sunny Hill” në Tiranë, dhe teksa frontmeni i bendit Alban Nimani me të tjerë anëtarë bëheshin gati të ngjiteshin në skenë, në ekranin e skenës së festivalit u shfaq një sekuencë e videoklipit të këngës “Shqiptar”.

Por fakti se në këtë videoklip është edhe flamuri i kohës së komunizmit në Shqipëri, “shqiponja me yll”, bëri shumë njerëz të reagojnë. Për një përdoruese e Twitterit me emrin Enriketa Papa, kjo është një skandal.

“Turp për Bashkinë Tiranë që lejoi fyerjen e qytetarëve dhe përdhosjen e kujtimit të viktimave të komunizmit në Shqipëri. Simbolet e komunizmit duhet ndaluar në ambientet publike”, ka shkruar ajo, duke ngjallur edhe dhjetëra reagime të tjera.

E kjo ka bërë që të reagojë edhe këngëtari i bendit, Alban Nimani.

Ai ka sqaruar se pamja që është fotografuar dhe më pas shpërndarë gjithandej ka qenë e marrë nga pamja e parë që e hap videoklipin i cili është publikuar në vitin 2005, dhe është një parodi e stilit Monty Python, ku trajtohen ngjarjet dhe figurat historike nga antikiteti deri në ditët e sotme, në mënyrë surrealiste dhe ironike.

“Shfaqja e flamurit kombëtar me yll, nuk ka të bëjë me glorifikimin e komunizmit, përkundrazi, në video klip shembet komunizmi”, ka shkruar Nimani.

Ai më tej ka sqaruar se është i informuar për “persekutimet, krimet dhe vuajtjen që e ka shkaktuar komunizmi në Shqipëri, sepse edhe u përkasim familjeve të persekutuara”.

“It's only Rock n'Roll”, ka përfunduar Nimani.

Lajme të ngjashme