Akuza të rënda se MKRS-ja 'në gjumë arushash': Ministri po shëtitet, fondet jepen për punëtorët e ministrisë - NACIONALE

Akuza të rënda se MKRS-ja 'në gjumë arushash': Ministri po shëtitet, fondet jepen për punëtorët e ministrisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

"Takimet e ministrit me punëtorët kulturorë janë të thata, që ngjasojnë me seanca terapeutike ku derdhet mllef e lot për gjendjen mjeruese të kulturës."

Ishte përgjigja direkte dhe e zëshme e themeluesit dhe drejtorit të 'Qendrës Multimedia', Jeton Neziraj, kur u pyet nga redaksia e Nacionales për rezultatet e punës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me rastin e përvjetorit të parë të qeverisë Kurti 2.

"Ministri, si në kohë të fushatës zgjedhore, po vazhdon shëtitjet e tij kulturore", shtoi tutje Neziraj, duke përcjellë një energji të theksuar zhgënjimi dhe mosbesimi në përparimin e gjendjes së fushës kulturore në Kosovë.

Si për ironi, në postimin e fundit të MKRS-së në Facebook, ndër të tjerash, shkruhej:

"Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, vazhdon bashkëbisedimin mes komuniteteve artisike në kuadër të reformave politike për kulturë", duke paralajmëruar atë, që - sipas aludimeve të mëhershme të Nezirajt - mund të jetë një tjetër 'shëtitje' e tij drejt 'seancave terapeutike'.

Pavarësisht tentativave, të cilat përfshijnë shkëmbime mesazhesh me këshilltarin e ministrit - i cili ofroi disa kontakte me zyrën për medie, që pastaj nuk ishte e qasshme në asnjë lloj forme - ishte fare e pamundur të sigurohej një prononcim nga ndonjë zyrtar i kësaj ministrie. Edhe përpjekja për të kontaktuar direkt me Çekun, doli të jetë e dështuar.

Në tentativa për të gjetur një mënyrë kontakti me ndonjë subjekt nga kjo ministri, hasëm në një koment interesant të një gazetareje.

"Hmm... boll të këqinj janë të Ministrisë së Kulturës, kështu nuk e njoh askënd aty, veç e di që as imella as sen nuk kthejnë. Ani me ditë që ke shkru kundër najsen, edhe ma hiç," u shpreh B.H. në një bisedë, e cila erdhi si rrjedhojë e komunikimit në kërkim të një mënyre për të kontaktuar dikë. Dhe imagjino, Nacionalja ka arritur të kontaktojë me gazetarë që po bombardohen në Ukrainë.

Por, t’i kthehemi temës e Jeton Nezirajt që është ndër artistët më të vlerësuar të Kosovës në 20 vitet e fundit.

"Nuk shoh kurrfarë progresi, fatkeqësisht. Shumica e insitutucioneve publike të kulturës janë të paralizuara tash e rreth dy vite, në mungesë te drejtuesve. Konkurset për udhëheqës të këtyre institucioneve kanë dështuar disa herë për çështje administritative, por mbi të gjitha, e më shpesh, për shkak të presionit të militantëve partiakë", u shpreh tutje Neziraj.

"Në përgjithësi, vërehet një apati në qeverisjen kulturore dhe një ecje me hapa të breshkës. Ndërkohë që Ministri sheh ëndrra parazgjedhore, mjerimi vazhdon, problemet vazhdojnë, madje thellohen."

Sa realisht paguhen artistët kosovarë për shfaqje teatrale? Epo, nëse ajo që thotë aktorja Alketa Sylaj, në postimin e saj në Facebook, është për t'u besuar, "për një shfaqje me kontratë për 15 repriza, ose 10 minimumi, pagesa është 1000 euro, 100 euro për performansë".

Kjo shumë, sipas Sylajt, është "marre, turp", duke etiketuar se statusi i saj në Facebook "nuk është sulm për regjisorët e artistët, se e di që për shumicën prej tyre projektet janë shumë të rralla dhe duhet më pas një punë tjetër, që Teatri të mbetet një hobi dhe ëndërr".

Madje, ajo cilësoi se këto paga janë "ofenduese dhe traumatike", para se të mbyllte statusin me "trajtoni artistat qysh duhet, ose mshelne teatrin krejt".

Shuma prej 100 eurove pagesë për një shfaqje, mund të tingëllojë për dikë si 'dinjitoze', por që do të falej po të mos fuste në ekuacion edhe "punën e provave, që zgjasin ka 6 deri në 7 javë, me nga 6-8 orë punë, e që futen në çmimin e madh prej 1000 eurove (për 10-15 repriza)," siç elaboron tutje Sylaj.

Por çka realisht po bën MKRS për përmirësimin e situatës? Një reagim nga ky institucion nuk arritëm të sigurojmë as pasi kontaktuam direkt me punonjës të zyrës për medie, reagimi i vetëm i së cilës ishte një 'seen'.

Për joseriozitet të njëjtë, siç bënë me transparencën dhe komunikimin me medie, MKRS u akuzua edhe në aspektin praktik për mënyrën si e trajton fushën e kulturës nga drejtori i teatrit të Ferizajt, Besim Ugzmajli.

"Kultura vazhdon të trajtohet si nje segment jorelevant për shoqërinë kosovare", tha fillimisht ai për Nacionale.

"Trajtimi joserioz vjen kryesisht nga institucionet kryesore e pastaj si domino vazhdon deri tek institucionet më të vogla kulturore.”

"Nuk ka ndryshim esencial politikash kulturore, ka një mirëmbajtje të sistemit të përgjithshëm që synon degradim total kulturor."

Ai tutje, madje potencoi se shumica e mjeteve të MKRS-së, në fakt, ndahen për punonjësit e këtij institucioni, duke etiketuar "shumë punëtorë, e pak punë".

"Shumica e mjeteve te Ministrisë së Kulturës mbeten brenda Ministrisë si paga për të punësuarit, pra ka jashtëzakonisht shumë punëtorë, e pak punë. Subvencionet për kulturë, ndahen në qindra projekte e vetëm disa prej tyre i shohim që realizohen, shumica mbyllen me letra e nuk ndodhin ashtu siç janë prezantuar në konkurse.

"Pra, pa një ndryshim esencial dhe urgjent në strategjitë e politikat kulturore, nuk do të ketë kurrë një ndryshim, as në këtë qeveri, thjesht do të ketë mirëmbajtje me ndonjë ndryshim tepër sporadik e te parëndësishëm."

Përveç inkurajimit për të bërë më shumë në fushën e kulturës, MKRS rekomandohet fuqishëm të shtrëngojë punën në zyrën për medie, e cila duket se nuk përkon aspak me etiketimin "zyrë për medie", pasi këto të fundit nuk duket se kanë ndonjë lloj benefiti nga kjo që po quhet "zyrë". Ndoshta, veprimtaria e tyre lidhet vetëm me postimet në Facebook që i bëjnë në emër të Ministrisë dhe në uebsajtin e saj.

Lajme të ngjashme