Fuqia e popullit: Ngritja monumentale e Duas dhe Ritës, dështimi spektakolar i Erës dhe Dafinës
A është fama ndërkombëtare e yjeve shqiptare përnjëmend ndërkombëtare, apo bazohet më shumë te fansat vibrantë e milionësh shqiptarë? Në këtë artikull do të flasim pikërisht për një gjë të tillë.
"Ata (shqiptarët) më kanë dhënë kaq shumë. Kanë besuar në mua kaq shumë, para çdokujt tjetër. Kështu që dua të ngris njerëz të tjerë (shqiptarë) nëse më jepet mundësia."
Kështu fliste Dua Lipa për 'Vogue', duke i dhënë volum esencial impaktit të një audience që në shikim e dëgjim të parë, mund të duket si e vogël dhe jo shumë e rëndësishme në raport me përmasat globale të artistes në fjalë.
Shqiptarë ka kudo. Në fakt, sipas projektit "Një Komb", i ideuar nga një burrë me emrin Besfort Axhanela, "nuk ka vend në botë ku nuk jeton të paktën një shqiptar".
Sipas studimit të bërë nga ai përmes projektit në fjalë, rreth 10 milionë shqiptarë ekzistojnë në gjithë globin (9,185,860 për të qenë të saktë, por që në llogaritje nuk janë përfshirë shumë vende ku shqiptarët gjejnë përfaqësim me numër më të vogël).
10 milionë shqiptarë të shkapërderdhur. Nga një klikim nga secili cep i botës, do të ishte shtysë e madhe dhe sigurisht se ka qenë për dikë si Dua Lipa gjatë ngritjes së saj në karrierë në përmasa përtej kombëtare.
Përfshirja e dhjetë milionë shqiptarëve në një zë unifikues, qoftë edhe nëse ka të bëjë me diçka jo shumë të rëndësishme për hartën gjeopolitike si muzika, po del të jetë trend vendosës për tregun global. Njëmend, me impakt që ka potencial ta imponojë dikë si person të rëndësishëm për botën. Dhe këtë e kishte kuptuar Rita Ora vite më parë.
"Ju (shqiptarët) keni një shans për të prezantuar veten dhe për t'u mbajtur mend përgjithmonë. Mesazhi im më i rëndësishëm është të qëndrojmë të bashkuar", kishte thënë Ora para se të performonte në një koncert në Prishtinë, ku kishte shtuar se "dua të jap shfaqjen më të mirë që kam dhënë në ndonjë vend të botës".
Për dikë si Ora dhe Lipa duhet të ketë qenë e rëndësisë jetike të kenë një fan-bazë të garantuar që buronte nga një themel shumë më i fortë sesa realisht vlerat muzikore të këtyre artistëve: lidhja kombëtare.
Zero objektivitet artistik kur flasim për këngëtarët që na përfaqësojnë nëpër botë, është mbështetje unifikuese pa marrë parasysh çdo gjë dhe gjithçka - kuptohet, gjithmonë me ndonjë përjashtim aty-këtu.
Sigurisht, jo gjithmonë një teori e tillë del të jetë 100% e saktë në praktikë. Pyesni Era Istrefin dhe Dafina Zeqirin...
Të dyja gëzuan famë dinjitoze sa vepruan në Kosovë duke publikuar materiale shqip, por ngulmimi për të bërë më shumë në një gjuhë të huaj rezultoi me debakël spektakolar për të dyja.
Zeqiri disi u rimëkëmb pasi eventualisht e kuptoi se nuk është aq e thjesht sa duket, derisa u kthye në Kosovë për t'iu përqendruar ekskluzivisht kësaj audience 10-milionëshe. Në anën tjetër, Istrefi tek tash ka filluar të ndjek hapat e Zeqirit, duke ia kthyer shpinën ndërkombëtarëve te të cilët nuk gjeti mbështetjen që e pati te ky 10-milionëshi vite më parë, por i cili ia kishte kthyer shpinën pasi ndryshoi përmbajtja artistike e materialeve.
Me pak fjalë, shqiptarët i kthyen shpinën dy artisteve që po kërkonin të penetronin në një audiencë të re që nuk flet shqip - rezultati ishte katastrofik. Vite të humbura jashtë, duke trokitur në dyer të mbyllura, rikthimi ishte i paevitueshëm.
Po, ky është impakti i 10 milionë shqiptarëve nëpër botë. Fakte dhe rrethana të ndryshme ndikojnë nëse ky numër do të unifikohet për të të dhënë mbështetjen e patjetërsueshme, siç ndikojnë të njejtat në injorimin që mund t'iu bëhet nëse aplikoni manuvra të pa menduara e të dirigjuara nga apetetitet lakmitare.
E drejtë të themi se është periudhë e mirë të jesh në këpucët e Dua Lipës aktualisht.
Në eventin e përvitshëm 'Distinguished Leadership Awards', një çmim që "nderon një grup individësh që kontribojnë në ndërtimin e një të ardhme globale në të ardhmen në Këshillin Atlantik", Lipa shfrytëzoi platformën që rrokte një audiencë të gjërë të pushtetshme globale, për të kërkuar hapur dhe qartë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Zonjusha e ka kuptuar më mirë se gjithë të tjerët impaktin e këtij 10-milionëshit, të cilin po e përforcon si përkrahje e po e cementon veten brenda sferave më të komplikuara, të cilat kanë rëndësi jetike për popullin shqiptar. E ky po ia shpaguan me përkrahje unifikuese dhe të patjetërsueshme, kështu, duke dalë të gjitha palët fitimtare.
Sipas një studimi të gjërë të bërë nga “Spinditty”, ekziston një shqetësim i madh se artistët e rinj nuk do ta kenë jetgjatësinë e artistëve legjendarë si “The Beatles”, “The Rolling Stones”, Michael Jackson dhe Madonna.
Nëse kompanitë muzikore nuk investojnë më shumë në zhvillimin e artistëve dhe të sigurohen që të qëndrojnë në hap me kohën, gjërat mund të mos jenë aq “kopsht me lule” për dikë si Dua Lipa, siç janë tash.
Kjo vetëm sa e fuqizon impaktin e një përkrahjeje bazë të popullit nga vendlindja.
Sipas uebsajtit “YouGov”, një firmë britanike që bën studime dhe analizon të dhënat e internetit, Lipa ka një përqindje të famës (njerëzit që kanë dëgjuar për të) prej 82%, por përqindja bie dukshëm kur flasim për popullaritetin (njerëzit që e pëlqejnë) e këngëtares prej 49%. Vetëm 8% e audiencës është përcaktuar në mospëlqim ndaj saj.
Fama globale ndikohet nga faktorë objektivë, të cilët mund të kenë ndikime brutale në të ardhmen për një artist, por fama kombëtare mbetet e tillë dhe vetëm sa shkon duke u përforcuar, varësisht nga veprimtaritë tjera. Festivali dhe fonacioni “Sunny Hill” është hap i mirë për dikë si Lipa që ta shndërrojë veten në figurë të rëndësisë monumentale për popullin.
Ndërkohë, nëse shikoni grafikonin e demografisë së fansave të Dua Lipës, del se shumica prej tyre janë nga Indonezia e largët.
Në anën tjetër, këngëtarja Rita Ora është akuzuar se ka lënë fansat të nënkuptojnë që ajo ka racë të përzier duke u veshur e duke i bërë flokët sipas kulturës zezake.