Klipi i ri i Sabri Fejzullahut dhe Gilit është oqean me siklet, ta shijojmë si fenomen në zhdukje - NACIONALE

Klipi i ri i Sabri Fejzullahut dhe Gilit është oqean me siklet, ta shijojmë si fenomen në zhdukje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy yje të muzikës në vitet e 80-ta dhe të 90-ta, me një mirëmbajtje të famës edhe në dekadën e parë të viteve 2000, por që filloi të zhduket në 10-vjetëshin e fundit, Gili dhe Sabri Fejzullahu, kanë rrëshqitur në një tentativë dëshpëruese për të qëndruar ende relevantë në një industri muzikore që po rinohet çdo ditë.

“Nuk ke tjetër kon, veç mu m’don don don don”, është një frazë e refrenit të këngës së re që Sabri Fejzullahu dhe Gili e kanë sjellë në një bashkëpunim që e kanë titulluar “Bon be”.

Përdorimi i një fjale të njëjtë disa herë “don don don” është një formë e përdorur jashtëzakonisht shumë te këngët e muzikës “trap” dhe “hip hop”, si një tentim për të zënë ritmin ose për të treguar rëndësinë e një fjale në kangë. Kjo e dyta ndodh rrallë, shumë rrallë, shumicën e herave fjalët përsëriten sepse ashtu e kërkon “beat-i”.

Dyshja e cila është në skenën e muzikës që 4 dekada, po kërkon ende të mbesin të famshëm edhe te gjeneratat e reja të cilët dëgjojnë “zhanrin e muzikës në të cilën një fjalë përsëritet disa herë”, por tentimi i tyre ka dalë si një bashkëpunim në të cilin kryefjala është “po duam ende të mbesim të famshëm, të na thërrasin në koncerte, të na dëgjojë rinia”.

Ja një rresht i këngës qysh në fillim.

“Zemër, mirëmëngjes, nga ti po e pres veç një 'yes' e me u bashku”, thotë Sabria.

Siklet instant. Qysh në dy rreshtat e parë. Një “yes” nga Gili?

Fjalët që i cituam në fillim thuhen nga Sabri Fejzullahu në fillimin e këngës së re me Gilin, e cila nëse jo në “playlist-ën” tuaj, është diçka që nganjëherë nuk mund ta evitosh nëse autobusi publik është mjeti juaj i transportit.

Sabriu dhe Gili duke tentuar që të mos dalin shumë popullore, flasin mes vete sikurse të ishin adoloshentë, por krejt kjo është thjesht një situatë e sikletshme.

Ja një frazë e Gilit.

“Zemër mirëmëngjes, mos e merr me stres, tona bahen me kismet. Po të lë me pritë, e me ma ditë.”

E vështirë të imagjinohet Gili si një “çikë që e len me pritë djalin”. Por hej, ndoshta kjo për nënat dhe baballarët mund të jetë një hit. Por, a dinë gjenerata e 50+ anglisht?

Persona rreth të 40-ave që disi i imagjinoj duke dëgjuar këtë këngë rrugës për pushime në Shëngjin, me dy fëmijë në sediljen e prapme dhe një veturë modeste që harxhon pak, por sigurisht kjo ka të bëjë vetëm me mua dhe imagjinatën time.

Vetëm analizoni veshjet e Sabriut dhe Gilit. Në një skenë të dy janë të veshur me ngjyra portokalli (Sabriu me bluzë, Gili me fustan), në një të dy me të gjelbër.

Në një skenë tjetër të dy janë duke pirë kafe e duke qeshur me njëri-tjetrin, ndërsa në njërën Gili është para disa pëllumbave të cilët ajo i tremb pa ndonjë arsye të qartë.

Klipet e tilla janë fenomen në zhdukje, andaj t'i shijojmë sa i kemi ende.

“Nuk i bie n'fije kësaj dashnie, s'ka formulë, e as recetë, si t'ia bëj zemra e shkretë?”, pyet Sabriu i dëshpëruar në vazhdim, por jo që do ta vëreje nëse do ta shikonit vetëm klipin pa zë.

Përgjigja e Gilit ndaj hallit të Sabriut më lart, është njëmend “kryevepër”.

“Kjo pyetje pa përgjigje, dashuria nuk ka ligje. Veç zemra digjet, digjet.”

Kënga, deri në kohën e këtij shkrimi, ka grumbulluar rreth 672 mijë klikime dhe do të vdisja të kaloja kohë me një pjesë të tyre për të parë skenën si i përjetojnë çastet kur e dëgjojnë këtë këngë.

Sidomos ajo pjesa kur thotë Sabriu “nga ti po e pres veç një yes, e me u bashku”. Ashtu, pak më ‘cool’ demek në anglisht, për të prekur edhe audiencën e re. Njëmend, shumë të mirë, të dy. E vështirë të përcaktohem nëse dua t’i kritikoj apo t’i komplimentoj.

Shikoni skenën e mëposhtme. Thjesht fantastike. Këto kapelet e Gilit janë për t’u respektuar, definitivisht.

Me stil por demode... e keni parasysh? Ashtu kur dikush kujdeset shumë për dukjen, por askush nuk i thotë se ajo thjesht nuk bën më, nuk funksionon.

Nëse futemi në sektorin e komenteve të këtij projekti, shohim të tillë si “Perfection, syni i keq mos ju paftë” dhe “Kombinim shumë i bukur, si në këngë dhe në veshje”, nga një komentuese me emrin Xhemazije Qamili.

Nuk e kemi të qartë nëse dua të shoh e të dëgjoj gjëra të tilla në të ardhmen, por hej, kush jam unë të gjykoj...

Lajme të ngjashme